Deklarata/Ambasadori Sequi: Shqiptarët duan integrimin, por ngërçi politik po e dëmton këtë aspiratë

Një raport i publikuar nga “Albanian Institut” vëren një luhatje të interesit të shqiptarëve, për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Nga një mbështetje masive e proceseve të integrimit të vendit me 93% një vit më parë, perceptimi i qytetarëve shqiptarë ka rënë në 80% gjatë këtij viti. Sipas kreut të delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, kjo vjen për dy arsye; e para për ngërçin e gjatë politik; dhe e dyta për refuzimin e statusit të kandidatit, për të dytin vit radhazi nga Brukseli. Në këtë pikë, Sequi shprehet se Bashkimi Evropian mund të ishte treguar më i hapur lidhur me kërkesën e Shqipërisë. “Perceptimi i shqiptarëve për t’u integruar në Bashkimin Evropian, ka rënë dhe kjo është një shenjë e keqe. Unë dua të rendis disa faktorë dhe sa kanë ndikuar ato në këtë proces; Shkaku është kriza politike. Ka qenë pikërisht ngërçi politik që ka sjellë edhe refuzimin e statusit të vendit kandidat, për të dytin vit radhazi, çka i lodhur shqiptarët, duke humbur kështu edhe besimin. Jo pa qëllim ka deklaruar shpesh herë se integrimi në BE, duhet të konsiderohet si prioritet kombëtar për të gjithë klasën politike”- u shpreh Sequi. Ai theksoi se BE do vazhdojë të mbështesë perspektivën e Shqipërisë, por forcat politike, duhet të kthejnë besimin te qytetarët. “Ndonëse mbështetja jonë që Shqipëria të bëhet pjesë e BE, mbetet e lartë, kjo kërkon punë. Partitë politike duhet të ndërgjegjësohen për rëndësinë e integrimit. Një pikë tjetër që dëshiroj të prek, është informimi i qytetarëve shqiptarë, rreth integrimit në BE dhe në mënyrë të veçantë të rinjtë, që kanë pak njohur. Për këtë, klasa politike dhe media duhet të zhvillojë një proces të gjatë informimi”- tha më tej Sequi. Sipas rezultateve të sondazhit, më shumë sesa niveli i mbështetjes ka rënë rëndësia që qytetarët i kushtojnë procesit të integrimit. Arsyet e mbështetjes kanë ndryshuar. Në vitin 2010 lëvizja e lirë ishte arsyeja kryesore me 37 % të të intervistuarve. Arsyet ekonomike në vitin 2010 janë zgjedhur nga 29.3 për qind. Ndërsa përsa i përket faktorëve që ndikojnë në integrim, sipas raportit, shqiptarët mendojnë se politika është 44%, shteti i së drejtës 41%, zgjedhje të lira e të ndershme 37 %. Pra ka më pak shqetësim për zgjedhjet në veçanti sesa vitin e kaluar dhe më shumë shqetësim për politikën, thekson sondazhi, teksa shton se faktorët më pak të rëndësishëm janë feja (9%) dhe zhvillimet në rajon (7%). Ndërkohë, sipas sondazhit, BE mbetet partneri më i rëndësishëm dhe kujdesi që duhet të tregojë qeveria shqiptare ndaj marrëdhënieve me BE mbetet parësor për qytetarët shqiptarë (82 %- njësoj si në vitin 2010). Ndërkohë që rritet ndjeshëm rëndësia për SHBA nga 77 % në 81%. Po kështu, vazhdon vlerësimi i lartë për partneritetin me NATO (79%), OKB (77%). Ndërsa përsa i përket vendeve fqinje dhe dinamikës rajonale, Italia mbetet më e rëndësishmja me 69%. Më problematikët janë Greqia (vetëm 20% nga 58% në 2010, mendojnë që qeveria duhet t’i kushtojë rëndësi) dhe Serbia (47% nuk i japin rëndësi fare marrëdhënieve me Serbinë). Për herë të parë janë matur perceptimet për Turqinë, të cilat janë shumë pozitive, 61% mendojnë se partneritetit me Turqinë duhet t’i kushtohet shumë rëndësi. Kosova ka pasur një rënie e lehtë: 62% nga 75% thonë se duhet t’i kushtohet shumë rëndësi.
...