E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurodeputeti italian, Volonte: Shqipëria meriton integrimin në BE, të papranueshme tendencat e bllokimit

28-10-2011 / Gazeta 55

Universiteti i Tiranës i jep titullin “Doctor Honoris Causa”


Eurodeputeti italian Luca Volonte akuzon direkt forcat politike në Shqipëri, për mos marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Politikani italian i apeloi klasës politike që të kuptojë rëndësinë e integrimit. “Rikthimi në Parlament i partive të opozitës, tha z. Volonte, do të jetë një ndër elementët kyç për përmbushjen e objektivit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Është detyrë e institucioneve që të vijojnë në këtë rrugë dhe e forcave politike që të marrin përsipër plotësisht përgjegjësinë e përballjes në Parlament. BE ka nevojë që të ketë Shqipërinë mes vendeve anëtare të tij. Ka nevojë pikërisht për rolin politik dhe kulturor, si dhe për shembullin që Shqipëria mund të  japë për të gjithë rajonin e Ballkanit”- u shpreh Volonte. Në këtë kontekst, ai vlerësoi hapat e mëdhenj që vendi ka bërë që nga anëtarësimi me të drejta të plota në Këshillin e Europës në lidhje me të drejtat e njeriut, shtetin e së drejtës dhe demokracinë, nëpërmjet ratifikimit të një numri të konsiderueshëm konventash, zbatimit të vendimeve të gjykatave, si dhe miratimit të reformave legjislative të rëndësishme në bashkëpunim me Komisionin e Venecias. “Shqipëria, tha ai, është një vend i madh në progres dhe universiteti zhvillon një detyrë gjithmonë e më të rëndësishme në formimin e qytetarëve të saj dhe të klasës së ardhshme drejtuese. Kriza e sotme ekonomike duhet të përballohet edhe nëpërmjet impulseve të reja të mësimeve universitare, që ky universitet i rëndësishëm zhvillon me inteligjencë dhe pasion në Shqipëri dhe që përbën një shembull për kontekstin ballkanik”- u shpreh Volonte. Deklarata e Volonte erdhi gjatë ceremonisë së marrjes së titullit “Doctor Honoris Causa” në Universitetin e Tiranës ku u shoqërua edhe nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Universiteti i Tiranës e nderoi eurodeputetin Volonte, me titullin “Doctor Honoris Causa”, “Për kontribut të rëndësishëm parlamentar në miratimin e reformave ristrukturuese të shoqërisë europiane”. Volonte kujtoi lidhjet e hershme që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Italisë, posaçërisht në fushën e arsimit, duke përmendur numrin e lartë të studentëve që kanë studiuar në të kaluarën por edhe në ditët e sotme në vendin fqinj. Ai vlerësoi hapat që Shqipëria ka ndërmarrë ndër vite për të kaluar nga një vend me ekonomi të centralizuar në një vend me ekonomi të lirë tregu dhe që gjatë viteve të fundit ka njohur nivele të larta stabiliteti makro-ekonomik. Nga ana e saj, Topalli vlerësoi z. Volonte si një personalitet shumëdimensional me kontribute të jashtëzakonshme jo vetëm në jetën politike dhe akademike të Italisë, por edhe në shkallë europiane.


Berisha, Volonte: Rama të bashkëpunojë për integrimin e vendit/Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me anëtarin e Parlamentit Italian dhe Presidentin e Grupit Popullor Kristian – Demokrat në Asamblenë Parlamentare të KE, Luca Volonte. Në takim u diskutua për bashkërendimin e përpjekjeve në Asamblenë Parlamentare të KE në kuadër të  PPE-së. Kryeministri vlerësoi rolin e Këshillit të Evropës dhe u ndal në mënyrë specifike në kontributin që KE dhe institucionet e tij mund të japin, pas pranverës arabe, në vendet e Magrebit dhe të lindjes së afërme. Kryeministri nënvizoi se roli dhe marrëdhëniet e KE me këto vende, me të cilët Evropa ndan Mesdheun dhe një trashëgimi kulturore të rëndësishme, do të jetë tema e Presidencës së ardhshme shqiptare të Këshillit të Ministrave të kësaj organizate. Kryeministri theksoi se pranvera arabe u ka hapur këtyre vendeve një horizont të ri shprese, lirie, demokracie dhe progresi dhe se vlerat e KE mund të shërbejnë si një model  për progresin demokratik të këtyre vendeve. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi rolin e madh që Italia, me prestigjin e saj, mund të luaj në këtë rajon. Nga ana e tij, z. Volonte e vlerësoi këtë temë, si me rëndësi të madhe në interes të Evropës dhe u ndal në kontributin që Shqipëria jep me modelin e saj unik të tolerancës fetare. Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend. Kryeministri rishprehu gatishmërinë për bashkëpunim vullnetmirë me opozitën dhe të gjithë faktorët e tjerë në çuarjen përpara të procesit të integrimit evropian dhe reformave të nevojshme në këtë drejtim. Ai shprehu shpresën se i njëjti vullnet do të konkretizohet edhe nga opozita në mënyrë që vendi të përmbushë objektivat strategjik të integrimit evropian.


Topalli, Volonte: Mazhoranca po punon për reformat, opozita bllokon ligjet me 3/5/Edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në një takim eurodeputetin italian, Luca Volonte. Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë për takimin me z.Volonte, si një mbështetës i vendosur i përpjekjeve të shqiptarëve në procesin e integrimit. Topalli u ndal në zhvillimet më të fundit në vend, duke bërë një ekspoze të shkurtër të treguesve ekonomikë, që e kanë bërë Shqipërinë një vend me rritje ekonomike pozitive, prej 4 %. Kryetarja e Kuvendit theksoi se “ajo vazhdon të ketë në rend të ditës plotësimin e 12 rekomandimeve; mazhoranca ka punuar dhe punon fort çdo ditë për ecurinë e reformave. Ndërkohë opozita për dy vjet, me taktikën e bllokimit, nuk voton ligjet me 3/5 e votave, një ndër benchmark-et kryesorë të Brukselit”. Eurodeputeti italian Luca Volonte vlerësoi kontributin e rëndësishëm që Shqipëria jep për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ai përgëzoi Kryetaren e Kuvendit për progresin dhe zhvillimin dinamik të Shqipërisë. Kryetarja Jozefina Topalli ri-konfirmoi se integrimi dhe ekonomia do të vijojnë të jenë prioritet i axhendës së Kuvendit të Shqipërisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›