Deklarata/Islami: Edi Rama nuk ka program fitues - projekti i tij është biologjik

Ish deputeti socialist, Kastriot Islami deklaron se Edi Rama nuk ka projekt për të rikthyer në pushtet Partinë Socialiste, por ka veç një projekt biologjik, ku shpreson në lëshimin e pushtetit nga Partia Demokratike. Sipas z.Islami, Rama nuk është në gjendje të bindë elektoratin socialist, pasi axhenda e tij është e zënë me fushata negative si protestat apo dhe formati i ri si video-politika. “Edi Rama nuk ka një program fitues. Po, ka vetëm një projekt biologjik dhe shpreson te konsumi i pushtetit. Te vjetrimi i Berishës që t’i mbushë mendjen elektoratit që mos e mbështet më këtë se Berisha është i vjetër, s’është më politikë. Pra një fushatë tepër negative. Edhe pjesa e videos është një fushatë negative. I janë bërë thirrje të vazhdueshme largohu nga fushata negative, largohu nga retorika konfliktuale”- u shpreh Islami. Duke u ndalur te politika e videove të kryesocialistit, Islami tha se vendimi i Gjykatës së Lartë për lirimin nga akuzat të Ilir Metës, ishte vendim i drejtë. Sipas tij, prokuroria u tërhoq nga fabrikimi i akuzave pasi u kuptua se asnjë prej tyre s’qëndronte. “Gjykata është e përbërë nga njerëz me integritet të lartë dhe profesionalë. Vetë Prokuroria, ku mendohet se PS ka një mbështetje, u tërhoq nga ajo që kërkoi fillimisht dhe ngeli tek vetëm me 2 vite burg. Pra, u tërhoq nga opsioni i parë, ku pretendohet se kishte të gjitha provat për ta dënuar z.Meta. Politikanët shqiptarë duhet të dinë të respektojnë vendimet e gjykatës. Po të shikojmë me kujdes fillimisht është filluar nga PS një sulm ndaj ish ministrit Prifti, polemikat mes Priftit dhe Ramës dhe më pas vijoi me videon Mtea-Prifti. Kjo nuk është një luftë kundër korrupsionit. Këto metoda duhen lënë dhe duhet filluar një debat i shëndetshëm i pasuruar me ide dhe alternativa të frytshme”- tha ai. Deputeti i pavarur Kastriot Islami shprehu shqetësim për paralajmërimet e PS, për protestën-homazh në përkujtim të 21 janarit. Sipas z.Islami, PS duhet të dëgjojë mesazhet e ndërkombëtarëve. “Shqetësimi i ndërkombëtarëve është i prekshëm. Ka një shqetësim publik të ambasadës Amerikane që thotë se edhe manifestimet paqësore s’janë të sigurtë dhe mund të kthehen në burim dhune. Ndërkombëtarët kanë qenë konkretë dhe njëherazi i kanë dhënë një mesazh për të hetuar ngjarjen dhe vënien e drejtësisë. Mesazhi i ndërkombëtarëve shkon dhe për klasën politike, ku i bëhet thirrje nisja e bashkëpunimit, reformave dhe lënia menjanë e klimës konfliktuale dhe retorikës boshe”- tha më tej, deputeti Kastriot Islami.