E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligjet me 3/5, opozita i rikthehet bllokimit të Kuvendit

19-01-2012 / Gazeta 55

Partia Socialiste po rriskon përsëri statusin e vendit kandidat, duke bllokuar miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar si Kodi Civil, Penal dhe Gjykata Administrative. Opozita është pozicionuar dukshëm kundër reformave, duke mos pranuar përgjegjësinë, ndonëse një shuplakë e mori, për bojkotin dhe bllokimin 2-vjeçar të Parlamentit

Partia Socialiste i është rikthyer bllokimit të parlamentit, duke refuzuar në mënyrë kategorike miratimin e ligjeve me 3 të 5, krejt ndryshe nga ç’ishte vendosur konsensualisht më 14 nëntor të 2011-ës. Debate të ashpra shoqëruan dje mbledhjen e komisionit parlamentar të ligjeve, gjatë diskutimeve për kalendarin e punimeve të Kuvendit, ku parashikohet miratimi i 3 ligjeve me shumicë të cilësuar, Kodi Civil, Penal dhe Gjykata Administrative. Në nisje të mbledhjes së djeshme, deputetët e opozitës janë shprehur kundër shqyrtimit të ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, për të cilat, sikundër edhe në Konferencën e Kryetarëve, kanë kërkuar më shumë kohë në dispozicion. Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj deklaroi se kërkesa e PS ka qenë në të mirë të reformave dhe është kërkuar më shumë kohë për ligjet që kërkojnë 3/5 e votave. Por, një kërkesë e tillë u quajt si e papranueshme nga mazhoranca, pasi për kalendarin e punimeve të Kuvendit ka një marrëveshje të firmosur nga përfaqësues të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në fund të vitit të kaluar. “Kërkesa jonë u cilësua e padrejtë nga ana juaj, ndërkohë që ne respektojmë marrëveshjen e nënshkruar”- tha Xhafaj. Nga ana tjetër, shumica parlamentare kujtoi se emergjenca e reformave nuk duhet të vihet në diskutim për shkak të mungesës së vullnetit të Partisë Socialiste. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali deklaroi se koha e shqyrtimit të ligjeve me 3/5 parashikohet në kalendar dhe nuk mund të akordohet një kohë e pacaktuar për projektligjet. “Këto janë çështje teknike të rikuperueshme. Koha e shqyrtimit të ligjeve parashikohet nga kalendari”- vlerësoi Rusmali. Ndërkaq, në Konferencën e Kryetarëve një javë më parë, opozita nuk miratoi kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit, ndërsa në të u përfshinë ligjet me 3/5 e votave, pa konsensusin e Partisë Socialiste. 3 ligjet në fjalë janë pjesë e kërkesave permanente dhe 12 rekomandimeve të Brukselit, për marrjen e statusit të vendit kandidat. Sipas kalendarit të miratuar më 14 nëntor të vitit të shkuar, Gjykata Administrative duhet të miratohet brenda muajit mars, kohë kur Bashkimi Evropian pritet të vlerësojë situatën politike dhe progresin e reformave në Shqipëri, me qëllim akordimin ose jo të statusit të vendit kandidat. Ende s’është e qartë nëse PS do ndryshojë qëndrim, apo do mbajë të pandryshueshëm kursin destruktiv për bllokimin e reformave, ashtu siç bëri gjatë 2 viteve me radhë. Kjo sigurisht do ishte në dëm të vendit dhe aspiratave të integrimit. Çështja që shtrohet tashmë është se, a është e gatshme PS të marrë për të dytën herë përgjegjësinë e dështimit politik, në marrjen e statusit të vendit kandidat? Shuplaka e Brukselit padyshim që do bjerë mbi Edi Ramën dhe spektrin e tij politik. Por kjo është më e pakta që mund të ndodhë, pasi me ndjekjen e linjës destruktive, mbizotërimi i klimës konfliktuale dhe ushtrimi i retorikës së “luftës” politike, rrezikon ta shndërrojë PS-në në një celulë ilegale dhe ekstraligjore. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›