E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni Evropian nis dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën

19-01-2012 / Gazeta 55

Thaçi: Vizat, lajm i gëzuar për Kosovën Evropiane


UPDATE- Komisionerja për Punë të Brendshme e Bashkimit Evropian, Cecilia Malmström, ka nisur sot në Prishtinë dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën. Në deklaratën për shtyp të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, të dhënë pak më parë, theksohet se "qëllimi i këtij dialogu është që eventualisht të hiqet obligimi për pajisjen me viza për qytetarët e Kosovës. Sidoqoftë, kjo do të jetë e mundshme vetëm pasi Qeveria e Kosovës të ketë zbatuar reforma të rëndësishme në fushat kryesore, siç janë siguria e dokumenteve të udhëtimit, menaxhimi i kufijve, migrimit dhe azilit, rendi publik dhe çështjet e sigurisë (sidomos luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsioni) si dhe çështjet e të drejtave themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes". "Përkushtimi ynë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është i vërtetë dhe jam shumë e kënaqur që tani mund të fillojmë me përparim konkret drejt këtij qëllimi. E di sa i rëndësishëm është udhëtimi pa viza për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe jam e kënaqur që e kemi nisur këtë proces. Megjithatë, nëse dhe sa shpejt qytetarët e Kosovës do të kenë privilegjin e udhëtimit pa viza, varet plotësisht nga përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe përparimin konkret në terren” - tha Cecilia Malmström.


Në të kaluarën, BE-ja ka nisur dialogun për liberalizimin e vizave me pesë vende të Ballkanit Perëndimor në mënyrë që t’u lejohet qytetarëve të këtyre vendeve të udhëtojnë në BE pa viza. Pas vlerësimit të progresit të shënuar nga këto vende në zbatimin e reformave kryesore, ish- Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia iu bashkuan regjimit të BE-së për udhëtim pa viza në dhjetor të vitit 2009, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina në nëntor të vitit 2010.


Për të nisur dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën, Komisionerja Malmström sot është takuar me Kryeministrin Hashim Thaçi, zv/kryeministrin dhe ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, zv/kryeministrin dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrović, ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ministren për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku. Gjatë qëndrimit të saj në Kosovë (më 19-20 janar), Komisionerja Malmström po ashtu do të takohet me Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e Ligjit (EULEX), Xavier Bout de Marnhac si dhe me përfaqësues të OJQ-ve, analistë dhe akademikë. Në Prishtinë, ajo do të vizitojë Qendrën për mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, organizatë jofitimprurëse që ofron ndihmë sociale dhe juridike, akomodim të përkohshëm të sigurt, edukim dhe aftësim profesional themelor për viktimat dhe viktimat potenciale të trafikimit. Komisionerja Malmström po ashtu do të vizitojë shkollën "Selman Riza" në Fushë Kosovë, e cila së voni ka ri-integruar 42 nxënës nga komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane, të cilët nuk janë shkolluar për vite me radhë. 


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi


“Sot për Kosovën ishte një lajm i gëzuar, lajmi për Kosovën evropiane, është një ditë e bekuar për Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj”. Kështu u shpreh sot kryeministri Hashim Thaçi pas takimit me Komisioneren  Evropiane për Çështje të Brendshme, Cecilia Malmström, e cila po qëndron për vizitë dyditore në Republikën e Kosovës. Pas takimit, Thaçi dhe Malmström, në një konferencë të përbashkët shtypi, kanë shënuar fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. 


“Qeveria e Kosovës e mirëpret fillimin e dialogut të shumëpritur për liberalizimin e vizave”, tha kryeministri Thaçi.


Ai shtoi se kjo dëshmon se Kosova është në rrugë të mbarë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. 


“Sot fillon një kapitull i ri për Kosovën, kapitull historik, ai i evropianizimit të Kosovës.  Është me rëndësi të theksohet se ky proces është i merituar me punën, këmbënguljen e të gjithë njerëzve në Kosovë, Qeverisë së Kosovës, parlamentit, presidencës, të gjitha partive politike, shoqërisë civile, mediave, ky ka qenë një angazhim i përbashkët, i shumanshëm dhe i gjithanshëm”, u shpreh ai.


“Kosova nuk është më vend i izoluar, Kosova tashmë po lëviz drejt integrimit evropian, është në rrugë të mbarë të lëvizjes së lirë edhe të qytetarëve të saj në Bashkimin Evropian”, theksoi ai.


Thaçi shprehu vendosmërinë për zbatimin e të gjitha kritereve, posaçërisht në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, emigrimit ilegal, sigurimin e dokumenteve, lëvizjen e lirë, menaxhimin e kufijve dhe kritereve të tjera të nevojshme dhe të domosdoshme. 


"Ne premtojmë se të gjitha kriteret e nevojshme teknike për liberalizimin e vizave, do t’i përmbushim në një afat rekord. Shpresoj se pas përmbushjes së këtyre kritereve, Bashkimi Evropian, do ta respektojë vendimin po aq shpejtë me heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës”, përfundoi kryeministri Thaçi. 


 Komisionerja Evropiane për Çështje të Brendshme, Cecilia Malmström, tha se “është kënaqësi dhe gëzim që jam këtu në Prishtinë që të nisim dialogun për viza”. “E di se për qytetarët e Kosovës kjo ka rëndësi të madhe, kështu është edhe për mua si komisioneve”. 


“Ajo që po bëjmë ne është që po e nisim dialogun teknik. Është përkushtim politik që Komisioni Evropian po hyn së bashku me qytetarët e Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës në dialog që ka për synim heqjen e vizave të kosovarëve drejt BE-së”, theksoi Malmström. Kjo, shtoi ajo,  nuk do të ishte e mundshme pa punën e madhe dhe zotimin e Qeverisë. “Ne mund të nisim këtë dialog sot. Qëllimi politik është që të hartojmë një udhërrëfyes që do të tregojë saktësisht se çfarë duhet të bërë, sa i përket sigurisë së kufijve, emigrimit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe shumica e këtyre çështjeve janë në programin e punës së Qeverisë”- tha komisionerja Malmstrom. 


“Mezi presim që të punojmë së bashku”, tha ajo, duke falënderuar shumë për mikpritjen e ngrohtë dhe punën e bërë në Kosovë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›