Njeriu i mortit, nxjerr në tubim Mjaft-istët e FRESSH-it me arkivole në krah

Rama faktohet si njeriu i vdekjeve dhe arkivoleve në shpinë, me të cilët tenton të vijë në pushtet. Flasim për një opozitë në rolin e një celule terroriste që s’e ka për gjë të vejë në diskutim jetë njerëzish për interesa të ngushta politike të të paudhit të PS-së, ndërsa dje i ndihmuar nga Mjaft-istët e FRESSH-it montoi sloganin “Me vdekje dhe arkivolë në shpinë, vijmë në pushtet”
Edi Rama paralajmëroi protestën – homazh të 21 janarit me një ceremoni mortore të demonstruar dje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe që nënkupton se e shtuna e këtij 21 janari s’do jetë thjeshtë ‘ditë - homazh’. Arkivolët në duart e Mjaft-istëve të FRESSH-it dje përgjatë rrugëve të kryeqytetit, konfirmojnë zyrtarisht mediokritetin politik të lidershipit socialist dhe nekropolitikën e tij të bazuar në viktima, vrasje dhe pafundësisht varre. Kot s’është thënë se Edi Rama kërkon të bëhet politikan, më pas lider dhe Kryeministër me mort, vrasje dhe gjakderdhje. Siç duket Rama e ka të lidhur fort karrierën e tij me shpresën që të ketë sa më shumë hapësira për protesta dhe demonstrata të dhunshme nga të cilat mund të lindin kauza si ato se “pushteti vret” dhe “drejtësia s’dënon”. Pikë së pari, demonstrimi i djeshëm përgjatë bulevardit ishte një turp i vërtetë, pasi Mjaft-istët e FRESSH-it ngjasonin si korbat që ndjellin vdekjet, me arkivolët gati.
Nuk mund të thuhet se protesta është simbolike. Një demonstrim i hapur me arkivole, është as më shumë e as më pak, se një përkujtimore kufomash, baza e mbijetesës politike të Edvin Ramës. Shpura e Mjaft-istëve të FRESSH-it ka “protestuar” ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë, që shpalli të pafajshëm ish zv/kryeministrin Ilir Meta duke e cilësuar verdiktin si “vdekje të drejtësisë”. Të rinjtë e Partisë Socialiste marshuan nga Gjykata e Lartë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me një arkivol e pankarta ku qeveria akuzohej se vrau drejtësinë shqiptare. Duket qartë se mbijetesën e tij politike Rama e ka të lidhur ngushtë me spektrin e montaturës, shpifjes dhe kriminalitetit. “Protestë” më të mirë PS s’kishte organizuar ndonjëherë. Jo për gjë, por se me arkivolët në shpinë Mjaft-istët e Erion Veliajt, i treguan të gjithë shqiptarëve se s’kanë ndryshuar nga nekropolitika dhe se mbeten po ata që bënë politikë për interesa të ngushta personale, me viktimat e Gërdecit, 21 janarit etj,. apo dhe me çdo fatkeqësi tjetër që në thelb prek ndjenjat njerëzore dhe refuzon konjukturat politike. Por, Rama s’ndalet. Për të, janari është muaji i arkivoleve, duke përjetuar kështu një sindromë sa fataliste aq dhe të lidhur ngushtësisht me aksionin e tij të përditshëm politik. Ai ndjehet fajtor për 4 jetët e humbura më 21 janar të vitit të shkuar. Ndjen mbi shpinë peshën e fajit se mori në qafë 4 prindër, të cilët i bëri kurban, me synim realizimin e ëndrrës për tu bërë kryeministër me protestën e dhunshme të janarit të kaluar. Ndjen mbi shpinë peshën e fajit për refuzimin e statusit të vendit kandidat gjatë 2 viteve radhazi se bojkotoi Kuvendin dhe bllokoi reformat e integrimit. Ndjen peshën e fajit se mashtroi dhe gënjeu qindra e mijëra socialistë të vërtetë, për fitoren e ëndërruar si “spektakolare” më 8 maj 2011. Nga pozitat aktuale, Rama është i përgjegjshëm se s’ka shumë gjëra në dorë. Mbi të gjitha i mungon banka e financimit (Bashkia e Tiranës). Ndaj, mbërritja e Mjaft-istëve dhe 99-shave në bulevard me arkivol në shpinë, është një tregues i keq...aq i keq sa Edi Rama vazhdon të mbetet peng i politikës mortore me një psikologji nekrofile.