E Diel, 1 Nëntor 2026

Gabimet për Presidentin - Eduard Kukan: “Opozita duhej të nxirrte kandidat”

20-06-2012 / Gazeta 55

Kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, kritikon kreun e PS-së për procesin e zgjedhjes së Presidentit

Kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Eduard Kukan, kritikon qëndrimin e opozitës shqiptare lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit.
Kritika vjen nga Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, një javë pas zgjedhjes së Bujar Nishanit në krye të shtetit.
Eduard Kukan thotë se ka pritur një dialog më intensiv para zgjedhjes së presidentit, me më shumë konsultime, më shumë shkëmbim informacioni, më shumë dialog politik ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Megjithatë përfaqësuesi i Parlamentit Europian thekson se kjo nuk e bën procesin antikushtetues.
“Unë nuk po e kritikoj zotin Berisha apo shumicën qeveritare. Unë po kritikoj të gjitha forcat politike. Të gjithë drejtuesit e tyre duhej të kishin treguar më shumë përgjegjshmëri. Pra, vërejtja ime kritike,  është se ato  po presin prej një kohe të gjatë që vendi të marrë statusin e kandidatit të BE-së, duhet të tregojnë më shumë përgjegjësi, duhet të tregojnë më shumë maturi politike”, tha Eduard Kukan, Kryetar i Delegacionit të PE për Evropën Juglindore.
Madje Eduard Kukan tregohet mjaft i drejtpërdrejtë me kryetarin e opozitës, kur e quan të padrejtë faktin që Edi Rama nuk i kontribuoi garës presidenciale edhe pse Kushtetuta ia mundësonte këtë.
“Unë e kam lexuar dy herë Kushtetutën e Shqipërisë. Unë e njoh atë dhe ajo nuk kërkon medoemos një President konsensual. Por ajo saktëson se një grup prej më shumë se 20 deputetësh mund të propozojnë një kandidat. Edi Rama ka më shumë se kaq deputetë, por ai nuk propozoi askënd. Kjo nuk ishte e drejtë. Nëse ai donte të kontribuonte për këtë dialog, ai duhej të propozonte një kandidat që, sipas tij, mund të pranohej nga Partia Demokratike”, tha Kukan.
Eduard Kukan, i cili për shkak të pozicionit në Parlamentin Europian, ka qenë shpeshherë dëshmitar i konflikteve politike të Tiranës, ka shprehur vlerësimin e tij për presidentin e ri të Shqipërisë.
Eurodeputeti Kukan tha se është takuar me Presidentin, Bujar Nishani dhe vlerësoi përvojën politike të tij.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›