Deklaratat e LZHK dhe PDR mund të jetë lojë e Nanos
05/12/2004 Lëvizja Socialiste për Integrim në 100 zonat elektorale të Shqipërisë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të kandidojë me konkurrentët e saj. Ky qëndrimi i përfaqësuesve të LSI-së, pas deklaratave të bëra nga dy grupime të djathta, atij të LZHK-së dhe PDR-së, për një bashkëpunim për procesin e qershorit 2005, është bërë i ditur nga Spartak Braho. Sipas tij, "deklaratat e bëra nga dy përfaqësuesit e LZHK-së dhe PDR-së mund të jenë një lojë e Kryeministrit Fatos Nano për të prishur imazhin e LSI-së, duke e radhitur si një forcë e djathtë në zgjedhjet e pritshme". Braho ka theksuar për "Metropol" se "aleati i vetëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet e 2005 do të jetë vetëm populli dhe elektorati që do ta mbështesë këtë forcë". Ftesa që forcat e djathta i kanë bërë kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, më tepër është konsideruar një ftesë mediatike. Kjo për vetë faktin se në zyrat e kësaj partie nuk ka ardhur asnjë platformë për të përcaktuar mundësitë e bashkëpunimit mes tyre. Ndërkohë nga të djathtët kjo ftesë nënkupton bashkim të forcave për të përballur me epërsi dy partitë e mëdha, PS-në dhe PD-në, në procesin zgjedhor të vitit 2005. Sipas deputetit Mustafa Muçi, "tashmë është bërë e qartë se LSI do të konkurrojë si forcë politike e vetme në zgjedhjet e vitit 2005, duke ngelur e gatshme për t'u angazhuar në koalicione paszgjedhore mbi bazën e rezultateve elektorale dhe aspak mbi marrëveshje liderash për të ndarë tortën e pushtetit, siç ka ndodhur deri tani me famëkeqin "'Koalicion për Integrim'".