E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD: Kushtetuesja po përsërit manipulimin e vitit 2000

05/12/2004  Drejtuesit e Partisë Demokratike paralajmëruan dje se socialistët, duke përdorur Gjykatën Kushtetuese, po përsërisin skenarin e vitit 2001, për rrëzmin e ndarjes së re zonale. Sipas sekretarit për Çështjet Juridike në PD, Ilir Rusmali, loja me Kushtetuesen dhe kërkesat e aleatëve të PS-së nuk janë gjë tjetër, por pretekste për të rrëzuar ndarjen zonale, që pritet t'i kalojë parlamentit për miratim. Sipas Rusmalit, absurd është fakti se e njëjta gjykatë e ka refuzuar përpara 5 muajve kërkesën e PAA për të njëjtën çështje, por papritur tani ka ndryshuar qëndrim. "Përpara pesë muajve, një nga dhomat e këshillimit të Gjykatës Kushtetuese refuzoi një kërkesë të Partisë Agrare Ambientaliste, që synonte të godiste procesin e rindarjes së zonave zgjedhore nëpërmjet shpalljes antikushtetues të kriterit të ndarjes me pothajse me të njëjtin arsyetim të PSD-së. Gjykata Kushtetuese nuk mund të bëhet pjesë e lojërave politike. Pas kërkesës së PSD-së, Gjykata Kushtetuese nuk rezistoi dot dhe vendosi ta marrë në shqyrtim dhe, sipas të gjitha gjasave, ta miratojë këtë kërkesë për t'i hapur rrugën kështu rikthimit në rendin e ditës të zonave zgjedhore, të cilat janë kontestuar në atë kohë dhe janë dënuar ndërkombëtarisht", tha Rusmali. Sipas tij, i njëjti person që ka hartuar ligjin për ndarjën zonale në vitin 2000 është ai që ka hartuar dhe relacionin për shpalljen antikushtetues të nenit 73 për ndarjen zonale.

Seanca

Megjithatë duket se në vendimin e vitit 2001, kur ka qenë opozita që ka bërë ankim në Kushtetuese, është vendosur që të jetë Kodi Zgjedhor, që do të përcaktojë kriteret për ndarjen zonale. Madje, termat votues dhe zgjedhës janë lënë evazivë. Ndaj dhe kolegji i gjyqtarëve në atë kohë gjithçka e ka lënë në dorën e legjislativit. Por, edhe pse ky fakt është përmendur në deklaratën e Rusmalit, sërish është shprehur frika se gjyqtarët nën ndikimin e socialistëve do të rrëzojnë raportin e përfunduar së fundi nga një komision i posaçëm. Ndaj dhe për seancën e datës 6 është thënë se do të ketë vetëm një përplasje politike në Gjykatën Kushtetuese, siç ndodhi në vitin 2001. Debati mbi ndarjen e re zonale ka ardhur pas miratimit në KQZ të hartës së re elektorale. PSD i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese një kërkesë për shpalljen antikushtetuese të nenit 73 të Kodit Zgjedhor. Për PSD-në, ky nen bie në kundërshtim me Kushtetutën, pasi lejohet që ndarja e re zonale të bëhet sipas numrit të zgjedhësve që kanë votuar dhe jo sipas listës së votuesve. Kundër ndarjes së re zonale kanë dalë dhe socialistët, të cilët kanë preferuar që zgjedhjet e ardhshme të bëhen me ndarjen elektorale të vitit 2000.

Perplasja

Vendimi i Kushtetueses së vitit 2001

Në datën 30.04.2001, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen, me kërkues Partia Republikane e Shqipërisë dhe objekt: “Shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të ligjit nr.8746, datë 28.02.2001 'Për përcaktimin e zonave zgjedhore'”.

Gjykata Kushtetuese çmon se ky pretendim i kërkuesit për shpalljen në tërësi të ligjit, si antikushtetues, nuk qëndron. Mosrespektimi i kriterit ligjor në kufijtë plus ose minus 5 për qind, që duhet të ruhet ndërmjet numrit të zgjedhësve në çdo zonë dhe numrit mesatar, i parashikuar nga Kodi Zgjedhor, nuk është argument për të vërtetuar shkeljen apo moszbatimin e koncepteve dhe parimeve kushtetuese në ligjin “Për përcaktimin e zonave zgjedhore”. Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se pretendimet e kërkuesit për antikushtetutshmërinë e ligjit nr.8746, datë 28.02.2001 “Për përcaktimin e zonave zgjedhore”, nuk janë të bazuara në Kushtetutë dhe, për rrjedhojë, kërkesa e tij nuk duhet pranuar.

Neni 73 i kodit zgjedhor

Ndarja e zonave zgjedhore bëhet sipas kritereve të mëposhtme:

Numrit të zgjedhësve që kanë marrë pjesë në votime në çdo njësi zgjedhore në zgjedhjet e fundit që i paraprijnë mbledhjes së Komisionit. Asnjë zonë zgjedhore nuk lejohet të ketë devijim më të madh ose me të ulët se 5 për qind nga numri mesatar i zgjedhësve në shkallë Republike, përveç rasteve që detyron zbatimi i pikës 7 të këtij neni. Numri mesatar përcaktohet nga pjesëtimi i numrit të përgjithshëm të zgjedhësve që kanë marrë pjesë në votime me numrin 100 të zonave të zgjedhjeve.

Kur numri i zgjedhësve në një bashki është brenda intervalit plus ose minus 5 për qind të numrit mesatar, ajo bashki duhet të përbëjë një zonë zgjedhore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›