E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i policisë së Lezhës abuzon me detyrën

05/12/2004  Drejtori i policisë së qarkut të Lezhës, ka abuzuar me detyrën. Ky është rezultati paraprak i grupit të kontrollit të ministrisë së rendit, që po heton mbi shkeljet e Armando Mandros. Komisari akuzohet se ka nxjerrë në rrugë antiligjore 20 pasaporta kundrejt mitmarrjes. Veç kësaj, ai konsiderohet përgjegjës për zhdukjen e 600 litrave benzol dhe po aq naftë nga karburanti i drejtorisë së Lezhës.

Pasaportat

Shkeljet e Armando Mandros nuk do të ishin zbuluar asnjëherë, pa reagimin e shefit të komisariatit të Lezhës. "Drejtori i policisë ka dhënë urdhër për nxjerrjen e plot 20 pasaportave të disa qytetarëve nga Lezha. Nuk dihet se si por komisari ka pranuar të firmosë dokumentat brenda ditës", shprehen burimet. Dihet tashmë që ligjir parashikon nxjerrjen e pasaportave në mynyrë urgjente vetëm kur personi gjendet në spital në gjendje të rëndë. Dokumenti i nevojitet atij për të udhëtuar drejt ndonjë vendi për kurim. Por, askush në rastin e 20 pasaportave nuk ishte i sëmurë rëndë. Veç kësaj, Armando Mandro nuk ka lejuar dërgimin e formularëve për tu firmosur nga shefi i komisariatit. Vetëm 10 ditë pasi dokumentat kishin përfunduar në duart e qytetarëve, formularët u zunë vend në skrivaninë e Agron Jahjes. Burimet thonë se shefi i komisariatit ishte habitur kur i kishin shpënë për të firmosur këto shkresa. Ato mbanin datën e 10 ditëve të shkuara, ndaj kryepolici dyshoi se diç po luhej. Mjaftoi një verifikim i thjeshtë në zyrën e pajisjes me pasaporta që aludimi të përligjej. Firma e tij duhej vetëm për efekt dokumentacioni, ndërsa pasaportat ishin nxjerrë nga vetë drejtori i qarkut.

Karburanti

Si të mos mjaftonte nxjerrja e 20 pasaportave duke shkelur ligjin, Armando Madro duket se do të mbajë përgjegjësi dhe për abuzime të tjera. Grupi i kontrollit nga Ministria e Rendit Publik kanë evidentuar zhdukjen e plot 1200 litrave lëndë djegëse nga karburanti i drejtorisë së policisë së Lezhës. Të njëjtat burime shprehen se specialistët e dikasterit blu janë shokuar nga mungesa e pamotivueshme e 600 litrave benzinë dhe po aq benzol nga çisternat. Të përllogaritura për lëvizjet e automjeteve të drejtorisë, karburantet mund të jenë shitur dorazi apo dhuruar ndokujt në shenjë miqësie. Kësisoj aludohet për destinacionin e litrave të zhdukura. Nuk përjashtohet fakti që mbi komisarin e Lezhës të rëndojnë dhe "mëkate" të tjera. Të paktën, duke iu referuar sinjaleve që kanë mbërritur në ministri këto 2 muajt e fundit. Sakaq, nuk dihet ende dhe sa ditë do të qëndrojë në Lezhë grupi i kontrollit nga ministria e rendit publik. Por, duket se konkluzionet e punës disaditore do të jenë me pasoja të rënda për drejtorin e qarkut.

Mandro zuri vendin e Shalës

Armando Mandro u emërua në detyrën e drejtorit të policisë së qarkut të Lezhës në muajin korrik. Ndërsa trajnohej në një kurs specializimi në Hungari, komisari mësoi se ishte i përzgjedhuri për të zëvendësuar Xhavit Shalën. Ky i fundit u përjashtua nga rradhët e policisë së shtetit nën akuzën e abuzimeve të rënda gjatë kryerjes së detyrës në qarkun e Lezhës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›