Kryeministri Berisha: Zhvillimi i qëndrueshëm rural, qëllim madhor i qeverisë
Në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon” në fshatrat e Shkodrës, Kryeministri Berisha inauguroi fillimin e punimeve të rrugës në fshatin Trush, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 9 milionë lekë dhe shkollën 9-vjeçare të këtij fshati, investim me vlerë 56 milionë lekë.
Në një takim që zhvilloi me banorë të komunës Bërdicë, Kryeministri theksoi se qeveria ka si qëllim madhor zhvillimin e qëndrueshëm rural të fshatit shqiptar. Pa këtë zhvillim, u shpreh Kryeministri, Shqipëria nuk mund të quhet kurrë vend i zhvilluar.
“Zhvillimi i Shqipërisë kalon nëpërmjet zhvillimit të fshatit. Nuk mund të jetë Shqipëria vend i zhvilluar me qytete me pamje europiane dhe fshatra të mjeruara”, u shpreh Kryeministri.
Në tre vjet, tha më tej Kryeministri, ne kemi bërë 104 miliardë lekë ose 1.2 miliardë dollarë investime në rrugët e fshatrave, me të cilat janë asfaltuar 1600 km rrugë në fshatrat e Shqipërisë, ndërsa siguroi se me mijëra kilometra të tjera do të asfaltohen derisa fshatrat e Shqipërisë të kenë infrastrukturën që meritojnë.
Kryeministri i siguroi banorët e komunës Bërdicë, por edhe mbarë banorët e fshatrave të Shqipërisë se qeveria do të bëjë që ata të kenë shkolla moderne, rrugë të asfaltuara, kanalizime, ujë të pijshëm njëlloj si në qytetet e vendit.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha u shpreh:
Dua ta nis këtë fjalë me një lajm që dua t`jua jap juve të parët dhe nëpërmjet jush të gjithë shqiptarëve, një lajm që sapo e mora nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara. Mbrëmë vonë Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës votoi Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kjo është një ngjarje historike për Shqipërinë, dhe për të gjithë shqiptarët për fëmijët tanë, djem dhe vajza të cilët do të rriten si një gjenaratë e një vendi anëtar të NATO-s.
Në këtë kontekst le të shprehim mirënjohjen më të thellë ndaj Presidentit Xhorxh W. Bush, qeverisë së tij , Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ambasadës e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe në Bruksel për të gjithë ndihmën e jashtëzakonshme që na kanë dhënë në këtë proces.
Unë dua të ndaj gjithashtu me ju gëzimin e inaugurimeve që bëmë sot në Bërdicë, në mënyrë të veçantë gëzimin e inaugurimit të shkollës 9-vjeçare në Trush. Shkolla është një oaz i fuqishëm i dijes, një shkollë është për të gjithë njerëzirt e qytetëruar institucioni më i dashur, më i vlerësuar dhe më i rëndësishëm, ndaj dhe unë shpreh gëzimin tim që fëmijët tuaj do të vazhdojnë mësimin në një shkollë që është e standardeve më të mira europiane. Për ne arsimi modern është përparësi . Kam kënaqësi të madhe që fëmijët tuaj sot ulen në një shkollë të re të pajisur njësoj si fëmijët e qytetarëve në Shkodër dhe Tiranë.
Ju jap fjalën se qeveria do të qëndrojë fuqishëm për të ndërtuar shkolla cilësore në të katër anët e vendit në të gjitha komunat në mënyrë që fëmijët shqiptarë kudo që ndodhen të shkollohen njësoj në shkolla moderne, të mësohen nga mësues të kualifikuar dhe të shkolluar mirë, nga mësues të paguar mirë.
Në tre vjet ne po shkojmë drejt dyfishimit të buxhetit për arsimin. Janë ndërtuar 141 shkolla, janë në ndërtim dhe 180 të tjera. Janë rikonstruktuar mbi 480 shkolla dhe do të rikonstruktohen qindra e qindra të tjera. Në çdo shkollë do të shtrohet interneti që vogëlushët tanë pavarësisht se ku ndodhen, pavarësisht se në çfarë gjendje ekonomike janë familjet e tyre do të ketë mundësi të lundrojnë në internet nëpërmjet kompjuterit dhe pastaj këta fëmijë do t`u mësojnë kompjuterin dhe lundrimin në internet prindërve të tyre , gjyshërve të tyre.
Informacionet për komunën e Bërdicës tani mund t`i merrni në internet dhe për këtë e përgëzoj kryetarin e Komunës tuaj.
Ne kemi një qëllim madhor; zhvillimin e qëndrueshëm rural të fshatit shqiptar. Pa këtë zhvillim, Shqipëria nuk mund të quhet kurrë vend i zhvilluar. Zhvillimi i Shqipërisë kalon nëpërmjet zhvillimit të fshatit. Nuk mund të jetë Shqipëria vend i zhvilluar me qytete me pamje europiane dhe fshatra të mjeruara. Ne kemi vënë në tre vjet 104 miliardë lekë ose 1.2 miliardë dollarë investime në rrugët e fshatrave. Kemi asfaltuar 1600 km rrugë në fshatrat e Shqipërisë, janë edhe mijëra të tjera, por mijëra të tjera do të asfaltojmë derisa fshatrat e Shqipërisë të kenë infrastrukturën që meritojnë. Ne do bëjmë që ju të keni shkolla moderne, rrugë të asfaltuara kanalizime, ujë të pijshëm, por do t`ju ndihmojmë gjithashtu në frutikulturë, për vaditjen dhe të mbroheni nga përmbytja.
Ministri i Punëve Publike më informoi se ka përfunduar projekti për ujësjellësin tuaj dhe së shpejti do të bëhet tenderi në mënyrë që të merrni ujë sikur të jeni në qytet.
Dua t`ju uroj gëzuar shkollën, ndaj me ju gëzimin e madh të këtij inaugurimi dhe ju siguroj se do ta mbështes kryetarin tuaj të komunës dhe deputeten tuaj zonjën Topalli, e cila ka një interes shumë të veçantë për projektet e zonës tuaj. I siguroj ata se do t`i mbështes në çdo projekt. Ju i meritoni plotësisht ato sepse ju punëtorët e tokës jeni njerëz që në çdo rrudhë të ballit tuaj bartni jo vetëm hallet dhe dertet tuaja familjare, por edhe hallet dhe dertet e vendit të pazhvilluar. Ju jeni frymëzim për çdo njeri që vlerëson punën, ndaj ju siguroj se tek kjo qeveri do të gjeni mbështetjen e fuqishme për punën tuaj, prodhimet tuaja dhe infrastrukturën.