Deklaratë e Zëdhënësit të Kryeministrit
Zëdhënësi i kryeministrit bën të ditur se kryeministri Berisha përshëndet ngrohtësisht vendimin e qeverisë italiane për uljen e periudhës së detyrueshme të qëndrimit në Itali, e nevojshme për marrjen e shtetësisë italiane. Ky vendim është një lajm shumë i gëzuar për mijëra emigrantë shqiptarë dhe familjet e tyre, që kanë zgjedhur Italinë si atdheun e dytë të tyre.
Ky vendim është dëshmi e respektit dhe mirënjohjes së qeverisë dhe popullit italian për kontributin e ndershëm dhe të përkushtuar të emigrantëve, të cilët kanë emigruar në Itali me shpresën dhe besimin për një jetë e të ardhme më të mirë.
Kryeministri shpreh besimin se emigrantët shqiptarë në Itali do vazhdojnë të jenë ura të fuqishme të bashkëpunimit dhe miqësisë midis dy vendeve dhe popujve tanë.