Kryeministri Berisha takon Ministrin e Zhvillimit të Greqisë, zotin Dimitrios Sioufas
Sot pasdite, Kryeministri Sali Berisha mirëpriti në një takim Ministrin e Zhvillimit të Greqisë, zotin Dimitrios Sioufas dhe delegacionin që e shoqëronte atë.
Të dy palët vlerësuan nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat, duke ndarë të njëjtin vullnet për forcimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen, veçanërisht në fushën ekonomike.
Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare e vlerëson Greqinë si një nga partnerët kryesor në mbështetjen për integrimit euroatlantik të vendit. Po ashtu, Kryeministri Berisha e njohu ministrin grek me nismat dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në funksion të zhvillimin dhe integrimit të vendit.
Ministri grek Sioufas vlerësoi si të suksesshme reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, ndërsa theksoi mbështetjen e gjithanshme të qeverisë greke veçanërisht në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në NATO. Në aspektin ekonomik, Ministri grek i Zhvillimit vuri në dukje se qeveria greke do të nxisë dhe inkurajojë edhe më tej biznesin grek për të investuar në Shqipëri. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha siguroi angazhimin e qeverisë shqiptare për krijimin e të gjitha kushteve lehtësuese për investitorët e huaj.
Ministri grek Dimitrios Sioufas vlerësoi politikat e qeverisë shqiptare në drejtim të minoritetit grek në Shqipëri, ndërkohë që të dy palët u shprehën për forcimin e bashkëpunimit në këtë funksion. Kryeministri Berisha siguroi vëmendjen e plotë të qeverisë në këtë drejtim.
Bashkëbiseduesit ndanë të njëtin mendim se marrëdhëniet dypalëshe mbështeten në fqinjësinë e mirë, bashkëpunimin e gjithanshëm reciprok dhe në kontributin e përbashkët në zhvillimet në rajon.
Zoti Berisha dhe zoti Sioufas diskutuan edhe për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen në aspektin ekonomik, duke u ndalur konkretisht në projekte në fushën e energjisë, në kuadrin e menaxhimit të zhvillimit rajonal në këtë fushë.