Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi mes Qeverisë shqiptare dhe Komunitetit Sant'Egidio
Sot pasdite, në ambjentet e kryeministrisë, u nënshkrua Marrëveshja mes Qeverisë shqiptare dhe Komunitetit ndërkombëtar të Sant' Egidio-s, për lehtësimin e aktivitetit të këtij komuniteti në Shqipëri. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është rezultat i vullnetit të shprehur nga të dy palët për forcimin e bashkëpunimit, gjatë vizitës që kryeministri Sali Berisha bëri në këtë komunitet, disa muaj më parë, në kuadër të vizitës së tij në Itali.
Marrëveshja u nënshkrua për palën shqiptare nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, zoti Myqerem Tafaj dhe për palën italiane nga Përfaqësuesi ligjor dhe Administratori i Komunitetit Sant'Egidio, zoti Giani le Bello.
Komuniteti Sant'Egidio është një shoqatë ndërkombëtare, me seli qendrore në Itali, e cila zhvillon një aktivitet të gjerë në fushën arsimore, social-shëndetësore dhe humanitare. Komuniteti ka zhvilluar prej vitesh në Shqipëri veprimtari të shumta, përmes projekteve dhe programeve, kryesisht në përmirësimin e sistemit arsimor, shëndetësor dhe përkujdesit social.
Nënshkrimi i marrëveshjes do të kontribuojë në zgjerimin e aktiviteteve me natyrë humanitare të komunitetit në Shqipëri, në shërbim të shtresave të ndryshme shoqërore në Shqipëri.