Zhvillohet mbledhja e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë
Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha, në mbledhjen e sotme mori në shqyrtim dhe miratoi disa vendime:
• U miratua detyra e projektimit për Masterplanin e Komunës Dajt, me disa sugjerime në funksion të respektimit të parametrave ligjorë të masterplanit për këtë zonë.
Kryeministri Sali Berisha, duke vlerësuar këtë detyrë projektimi, theksoi se në këtë vazhdë duhet të përcaktohen afatet dhe detyrimi ligjor i të gjitha bashkive dhe komunave për planet e përgjithshme rregulluese. "Këto plane janë jetike dhe përcaktuese për të ndërtuar mbi bazën e kritereve dhe standardeve dhe në përputhje me interesat jetike të qytetarëve. Ato janë jetike për të frenuar dhe zhdukur korrupsionin dhe praktikat korruptive, të cilat janë dominuese jo vetëm në bashkinë e Tiranës, por edhe në njësi të tjera të qeverisjes vendore", u shpreh Kryeministri Berisha. Kryeministri vlerësoi se trajtimi i territorit të qyteteve me planet e pjesshme është një trajtim korruptiv, rrënues, trajtim i cili nuk përfill asnjë standard dhe i bazuar mbi ryshfetin, babëzinë, interesin e ngushtë dhe që shpërfill tërësisht interesin e qytetarëve.
Kryeministri kërkoi që Ministria e Punëve Publike dhe Transportit bashkë me Ministrinë e Brendshme të bashkëpunojnë në mënyrë që të shpallen me shpejtësi afatet ligjore të inicimi dhe përfundimit të planeve të përgjithshme rregulluese të bashkive dhe komunave. "Ne do të parashikojmë në buxhet të gjitha fondet e nevojshme për këto plane, si një kusht vendimtar për të ndërtuar mbi bazëe parimeve të shëndosha urbanistike, për të nxjerrë këtë sektor nga korrupsioni dhe ryshfeti", vijoi zoti Berisha.
Po ashtu, Kryeministri kërkoi që ministria në bashkëpunim me komunat, të ndërmarrë studimin e kurorës së Tiranës, si dhe të shpejtohet mundësia e ofrimit të trojeve për qytetarët shqiptarë që duan të blejnë dhe të ndërtojnë. "Kërkohet që me shpejtësi të madhe të përcaktohen zonat, të planifikohet ku do t'u ofrohen qytetarëve troje. Lëvizja e lirë është arritje e madhe e qytetarëve shqiptarë dhe ajo nuk do të mund të kufizohet. Është detyrim madhor i qeverisë t'u ofrojë kushtet për të ndërtuar jetën e tyre aty ku duhet", theksoi Kryeministri Berisha.
Kryeministri tërhoqi vëmendjen se këto komuna, Kashari, Farka Dajti, etj, duhet të ofrojnë trojet me transparencë të plotë dhe t'i venë në dispozicion të qytetarëve, kundrejt vlerës përkatëse.
Po ashtu, ai kërkoi që vendimet në Komunën e Dajtit të respektojnë plotësisht Parkun Kombëtar, duke theksuar se duhet të shfrytëzohen sa të jetë e mundur sipërfaqet brenda vijës së verdhë të fshatrave, në mënyrë që të bëhen edhe ndërtime, por te respektohen edhe sipërfaqet e gjelbëra.
* * *
U miratua një ndryshim në planin rregullues të qytetit të Tiranës për territorin me sipërfaqe 5.5 ha të pistës së ish-Aeroportit të vjetër të Tiranës nga "zonë e vecantë" në "zonë e gjelbër".
Kryeministri Berisha theksoi se ky është një hap i rëndësishëm për t'i rikthyer Tiranës gjelbërimin, të cilin qyteti e ka patur, por që qeverisja e babëzitur vendore ia ka shkatërruar. "Është shumë e rëndësishme që të merren të gjitha masat që studimi të kompletohet sa më shpejtë dhe shpreh kënaqësinë që ne sot i rikthejmë disa hektar gjelbërim kryeqytetit që po mbytet nga betonimi", tha kryeministri.
* * *
U miratua një shtesë në rregulloren e studimit urbanistik të Qendrës së qytetit të Tiranës, miratuar me vendimin e KRRTRSH-së, nr.3, datë 23.06.2004.
Kjo shtesë ka të bëjë me dy aspekte; e para për të mundësuar dhe saktësuar vënien në dispozicion të kompleksit të ri të parlamentit shqiptar të hapësirës së vilave në perëndim të rrugës "Donika Kastrioti:. E dyta, t'i mundësojë Ambasadës zviceriane të ndërtojë një objekt dy katësh në territorin në pronësi të saj, objekt i cili do të shërbejë si konsullatë e ambasadës. Ky ndërtim duhet të respektojë karakterin e gjelbërimit të gjithë zonës.
Kryeministri Berisha theksoi se pasi është marrë vendimi për kompleksin e ri Parlamentar janë përcaktuar edhe fazat për të hapur tenderin ndërkombëtar të projektit. Por Kryetari i Bashkisë nuk i firmos, në mënyrë të paligjshme. Por ai vuri në dukje se krahas KRTSH-së, për kompleksin parlamentar ka një komitet shtetëror të ngritur me vendim të parlamentit të legjislaturës që shkoi, që vepron gjithashtu. Kryeministri vuri në dukje se kryebashkiaku, që kur ka lënë bashkinë, i ka bllokuar dhe nuk i sjell projektet edhe pse buxheti për këtë gjë digjet.
Përsa i përket ndërtimit në ambasadën zviceriane, Kryeministri Berisha theksoi se ky kryebashkiak jep rëndom leje për ndërtime në oborre shkollash dhe nuk lejon këtë ambasadë të ndërtojë një dykatësh në oborrin e vet për lehtësimin e punës së saj. "Nëse këtë ai e bën për inate të ndryshme, kjo është cështje e tij. Por në këtë rast kemi të bëjmë me një kërkesë legjitime. Ndaj u bë e domosdoshme kjo ndërhyrje, për të zhbllokuar këto dy projekte të një rëndësie të gjithanshme", nënvizoi Kryeministri. Ai theksoi se "për të bërë një sallë në bashkinë e Tiranë me shpeënzime të mëdha dhe jofunksionale për qytetarët, kryebashkiaku jep leje, ndërsa Parlamenti sipas tij duhet të rrijë pa sallë. Kur i interson ish kryetarit e bën të paqenë Planin rregullues francez dhe ia prish të gjitha kondicionet, ndërsa kur do të nxjerrë inate, justifikohet me planin frrancez së pari.
Kryeministri u shpreh se nuk mund të pengohet kompleksi parlamentar vetëm se kryëbashkiaku ka të drejtën e firmës, ashtu sikundër nuk mund të pengohet një ambasadë e një vendi mik për të normalizuar veprimtarinë e vet, në oborrin e vet dhe me disa kushte që i përcaktohen për këtë ndërtim.
* * *
U miratua rregullorja për studimin rajonal dhe mjedisor të zonës Selitë, Sauk, Farkë, Lundër, Mullet dhe Petrelë.
* * *
U mor në shqyrtim materiali i Drejtorisë së Policisë së Ndërtimit për shqyrtimin në KRRTRSH të vendimit të KRT-së së bashkisë së Vlorës nr. 2/49, datë 18.04. 2006 për leje ndërtimi për banesë 12 kate+parkim nëntokë në lagjen Pavarësia, për subjektet ndërtuese "Ferati", "Rivjera" dhe "Anakonda".
Ky vendim i KRT-së Vlorë u konstatua i pavlefshëm nga ana ligjore, duke u mbështetur në nenet 38 të ligjit 9048, datë 7.4.2003 "për trashëgiminë kulturore", pasi është konstatuar nga gërmimet për këtë ndërtim se janë zbuluar gjurmë arkeologjike. Pas ketij konstatimi nuk mund te gjeje zbatim, nga pikpamja ligjore, projekti i miratuar nga KRT-ja e Bashkisë Vlorë.