Kryeministri Berisha përshëndet ceremoninë me rastin e 60 vjetorit të Organizatës Kombëtare Shqiptaro-Amerikane

Sot, kryeministri Sali Berisha mori pjesë në mbrëmjen gala me rastin e 60 vjetorit të krijimit dhe Konventës vjetore të Organizatës Kombëtare Shqiptaro-Amerikane. Ky eveniment mblodhi sëbashku, për herë të parë në Shqipëri, rreth 400 anëtarë të kësaj organizate nga komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në përshendetjen e tij, me këtë rast, ndër të tjera kryeministri Berisha theksoi:
"Vij thellësisht i emocionuar në këtë takim me ju. Jo vetëm unë, por kushdo që takohet me ju ndjen emocione dhe frymëzim në rolin tuaj. Kur hedh vështrimin mbrapa në historinë tonë kombëtare, sheh historinë e vështirë, por gjen tek ju gjithnjë të pashuar flakën e lirisë kombëtare.
Në të gjitha momentet e historisë sonë të vështirë, ku kombi përjetoi drama të mëdha, copëtime dhe pushtime, një faktor ka qenë i një rëndësie të jashtëzakonshme, në këto momente kritike SHBA-të kanë qenë në mbështetje të çështjes së drejtë të kombit shqiptar. Kjo ishte e vërtetë në dekadën e dytë të shkellit të kaluar. Presidenti Uillson hodhi poshtë me përbuzje projektin e copëtimit të mëtejshëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Këtu, në Tiranë, ka një shesh me emrin e tij. Ne do të përurojmë dhe shtatoren e tij për të nderuar burrin e madh të kombit amerikan.
Shqiptarët ranë nën diktaturën më të egër në Evropë. Zëri juaj u ngrit gjithnë në mbrojtje të vlerave të lirisë së tyre. SHBA-të nuk reshtën së mbështeturi shqiptarët për të gjetur lirinë.
Në vitin '99, kur mbi pjesën e kombit të pushtuar Sadami i Ballkanit shpalosi të gjithë projektin e eksterminimit të shqiptarëve në Kosovë, ishte presidenti Klinton që udhëhoqi Aleancën e Atlantikut të Veriut në çlirimin e shqiptarëve të Kosovës.
Në të gjitha këto akte madhore zëri dhe qendrimi juaj kanë patur rëndësi shumë të madhe për këto qendrime të SHBA-ve ndaj Shqipërisë.
Ju, të nderuar anëtarë të Organizatës Kombëtare Shqiptare në SHBA, vini sot, në këtë vizitë, për të dëshmuar dashurinë tuaj për Shqipërinë. Shqipëria ka nevojë të madhe për t'u dashur. Shqipëria dhe shqiptarët sot janë të lirë. Pasuria e lirisë dhe dashuria për Shqipërinë, për Kosovën do t'i bëjë shqiptarët një komb të nderuar dhe të zhvilluar kudo që janë.
Duke ditur angazhimin tuaj të jashtëzakonshëm për Kosovën, dëshiroj t'ju jap përshtypjet e vizitës sime të parë, dy muaj më parë, në këtë vend. Ishte vizita më e jashtëzakonshme dhe e gëzuar e jetës sime. U largova nga Kosova më krenar se kurrë me qënien time shqiptar. Vendi u rindërtua i tërë brenda pak vitesh, me institucione thellësisht demokratike, me një dashuri të madhe të qytetarëve të saj për Kosovën, me respekt të padiskutueshëm për pakicat dhe minoritetet, me vendosmëri për të falur dhe pajtim shoqëror. Secili prej nesh duhet të ndjehet i gëzuar dhe krenar për mbështetjen që ka dhënë në çështjen e drejtë të shqiptarëve të Kosovës.
Pas zgjedhjeve, qeveria shqiptare është angazhuar në këto drejtime kryesore. Së pari, në një vend të sigurtë për qytetarët e saj dhe të gjithë ata që vizitojnë Shqipërinë. Vendi më i sigurtë në rajon. Ne po punojmë shumë ngushtë me agjencitë e zbatimit të ligjit të SHBA-ve dhe vendeve të tjera mike, me një platformë të qartë kundër krimit të organizuar dhe terrorrizmit. Motoja jonë është ‘tolerancë zero' ndaj tyre. Dhe rezultatet janë reale. Para zgjedhjeve, në të gjitha takimet e mia me gazetarë, një pyetje ishte konstante, si do veproja me organizatat kriminale. ‘Tolerancë zero', ishte përgjigjia ime. Gjithnjë kam qenë i frymëzuar nga Rudi Xhuliani. Kam lexuar dhe librin e tij. Një prokuror që arriti të shkatërroi mafian në SHBA. Ishte dhe është një shembull frymëzimi për të gjithë ata, të cilët duhet të punojnë për sigurinë e vendit dhe qytetarëve të tyre. Shqipëria po ecën në rrugën e sigurisë së saj.
Një tjetër problem madhor me të cilin vendi përballet është korrupsioni. ‘Tolerancë zero' është motoja jonë edhe ndaj korrupsionit, si një kancer që rrënon identitetin kombëtar. Qeverinë e nxorëm jashtë konfliktit të interesit. Procedurat i kemi bërë shumë më transparente. Po punojmë me SHBA-të për të ngritur ombudsman e prokurimeve publike nga shoqëria civile, po punojmë me SHBA-të edhe në projekte të tjera për përmirësimine administrimit fiskal dhe për të krijuar ‘one stop shop'. Në pak muaj ne arritëm rezultate konkrete. Në muajin qershor miratuam një buxhet të dytë, tërësisht rezultat i luftës kundër korrupsionit.
Por qëllim madhor i jetës sime është Shqipëria e integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian. Unë jam realist se ku ndodhet Shqipëria sot. Për të arritur këto qëllime duhet që Shqipëria të bëhet vendi më tërheqës për investimet e huaja në rajon dhe më gjërë. Tre javë më parë, në ceremoninë e diplomimit ‘master në ekonomi' të studentëve nga fakulteti i Tiranës dhe Universiteti i Nebraskës unë shpalla inisiativën ‘Shqipëria vendi më i lirë dhe më i lehtë për investimet e huaja në rajon'. Ju jap fjalën se do ta realizoj këtë, në rast se do të më ndihmoni. Unë kam nevojë për mendimet tuaja. Mi dërgoni ato, me faks, e-mail, apo në telefonin tim personal, të cilin çdo shqiptar e njeh.
Gjithashtu kemi miratuar një paketë të re fiskale. Shqipëria pa dyshim do të shkojë drejt taksës me një nivel. Shqipëria do të bëhet vendi më i lirë për investimet e huaja. 1 dollar do të jetë çmimi i kontratave për investitorët. Ne po studiojmë të gjithë praktikat lehtësuese dhe po punojmë për të zvogëluar barrierat që ndajnë kombin në pjesë të ndryshme. Sot kombi, kudo që ndodhet ka një vizion, vizionin evropian. Por malet e larta, grykat e ngushta e pengojnë atë të shkëmbejë lirshëm. Dje, me një komisionin ndërkombëtar shpallëm kompaninë amerikane ‘Bechtel' si fituese të tenderit për ndërtimin e korridorit Durrës-Prishtinë. Tenderi ishte i hapur dhe u vlerësua nga një komision ndërkombëtar. Pas shpalljes së vlerësimit, unë prita anëtarët e këtij komisioni. Kishte prej tyre edhe nga ata që kishin patur kompani të vendit të tyre në këtë konkurs ndërkombëtar. Por të gjithë kishin votuar ‘Bechtel'. Ky është një gëzim i madh dhe një simbol për të gjithë ne. Pas saj do të vazhdojë hekurudha. Ne duhet të përfitojmë nga pasuritë e njëri tjetrit. Sëbashku do të përpiqemi të zhvillohemi sa më shpejt.
Projekti i tretë i madh është Shqipëria në moshën e internetit. Depërtimi i internetit në Shqipëri është shumë i ulët. Muaj më parë, ne ndërmorëm programin internet në çdo shkollë. Por, pas disa muajsh, ky projekt u tejkalua. Shqipëria në moshën e internetit është gjithashtu motoja jonë. Telekomi shqiptar shpall një tendër në të cilin do të pajisë çdo abontent me shërbimin e ‘broad band internet'. Pas tij, ne do të regjistrohemi në programin ‘kompjuter 100 dollarë' të Institutit të Teknologjisë në Masachuttset. Me kredi dhe me çdo mënyrë, ne do t'i mundësojmë çdo fëmije shqiptar të ketë kompjuterin mbi bankën e tij.
Në një takim që pata me studentë u thashë se e kisha lakmi moshën e tyre. Nuk mund të zhbëj vitet, u thashë, por të sjell Shqipërinë në moshën tuaj. Shqipëria në moshën e internetit është Shqipëria, e cila do të zhvillohet me shpejtësi.
Ju falenderoj edhe një herë përzemërsisht për këtë ftesë vëllazërore dhe ju siguroj se do të bëjmë çdo përpjekje që kontributi juaj në zhvillimin e këtij vendi të jetë i madh.
Ju përshëndes dhe ju siguroj se do të punoj me përkushtim të madh për marrëdhëniet tona të ngushta me SHBA-të, marrëdhënie, të cilat janë të shkëlqyera, siç i vlerësoi dhe presidenti Bush gjatë paraqitjes së letrave kredenciale të ambasadorit shqiptar në Shtëpinë e Bardhë".