Kryeministri Berisha takohet me drejtues të ALUIZNI-T
Sot, kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me drejtues të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale (ALUIZNI) dhe të degëve në rrethe.
Takimi u përqëndrua në ecurinë e procesit të legalizimit të ndërtimeve në zonat informale, gjatë të cilit u evidentua interesi i lartë i banorëve të këtyre zonave për këtë proces. Në takim u theksua se vetëm në dy javë kanë tërhequr formularët për vetdeklarimin e ndërtimeve pa leje rreth 180 mijë qytetarë. Njëkohësisht me procesin e vetdeklarimit, javën e ardhshme do të kalohet në etapën më të rëndësishme të kësaj reforme, në identifikimin në terren dhe pasqyrimin në hartografi të çdo ndërtimi pa leje.
Gjatë bisedës, kryeministri ndër të tjera theksoi:
"Dëshiroj të përshëndes ekipin drejtues të Agjencisë për efiçencën, dinamizmin dhe përgjegjshmërinë e lartë që ka dëshmuar ndaj këtij procesi themelor për sistemin në të cilin jetojmë. Ky është një model përgjegjshmërie. Në një kohë të shkurtër ju ngritët me shpejtësi infrastrukturën, plotësuat organikën, qendruat realisht në lartësinë e këtij misioni. Kjo nuk është detyrë, por mision i madh dhe i rëndësishëm. E kam ndjekur dhe e ndjek përditshmërisht veprimtarinë tuaj dhe vij këtu me fjalët më të mira për punën e kryer deri tani.
Dëshiroj gjithashtu të shpreh mirënjohjen e thellë ndaj qytetarëve, të cilët e kanë konceptuar edhe ata këtë proces si një mision. Fakti që në dy javë trokasin në zyrat tuaja 180 mijë qytetarë është dëshmi e përgjegjësisë, gatishmërisë dhe entuziazmit me të cilin qytetarët shqiptarë, pronarë të këtyre ndërtimeve, e kanë pritur këtë proces.
Procesi i legalizimit dhe urbanizmit është i një rëndësie themelore. Në planin ekonomik ky proces çliron 3 deri 4 miliard euro, pasuri e qytetarëve shqiptarë, që mbetet e ngirë vetëm për shkak të mungesës së këtij akti. Por ende më e madhe është vlera e këtij procesi në rrafshin social dhe politik, sepse kjo pjesë e popullsisë, rreth 1 milion shqiptarë, nuk ndjehen më të përjashtuar, nuk etiketohen më me epitete nga më të ndryshmet si produkte të segmenteve të krimit që i shpikën ato. Ata nuk ndjehen më si geto, por si faktorë madhorë të zhvillimit të qyteteve tona. Kjo është historia e zhvillimit të qyteteve. Në kohëra të lira qytetet janë zgjeruar, zmadhuar dhe kanë lulëzuar. Me këtë proces hiqet ky koncept diskriminues, përçarës dhe i shndërron ata në qytetarë të denjë, ashtu siç janë, të qyteteve ku banojnë dhe të vendit në tërësi.
Dëshiroj të përgëzoj edhe qeverisjen vendore për shkallën e përgjegjësisë që ka treguar. Duke njohur dhe vështirësitë e saj, qeveria do t'u përgjigjet me të gjithë ndihmën e nevojshme për të përmbushur këtë mision të madh. E ritheksoj është mision dhe të tillë e kanë konceptuar të gjithë qytetarët. Tregues për këtë është edhe vendosmëria për ta kompletuar sa më shpejt procesin. Në dy javë rreth 180 mijë vetë kanë trokitur në zyrat tuaja për të tërhequr formularët.
Ne u përpoqëm ta thjeshtojmë procesin dhe qeveria mori vendimin, i cili bazohej në konceptin e shërbesës ndaj qytetarëve. Sërish, ne jemi në gjendje ta thellojmë dhe t'i thjeshtojmë procedurat. Ju duhet të bëni sugjerimet tuaja dhe qeveria është e hapur të konsiderojë seriozisht të gjitha propozimet që thjeshtojnë procedurat. Burokracia si proces është armike e reformave, ndaj duhet të përpiqemi të thjeshtojmë procedurat dhe të thellojmë procesin e shërbesës ndaj qytetarëve.
Nga ky proces qytetarët shqiptarë përfitojnë jo vetëm miliarda, por edhe potencialin e madh që fiton tregu. Me kompletimin e këtij procesi futet në treg edhe një Shqipëri tjetër, edhe më e madhe sa kjo që është sot. Efekte pozitive ka gjithashtu ky proces në jetën e këtyre familjeve dhe jetën e shqiptarëve në tërësi.
Këto ditë ne do të ngremë edhe Agjencinë tjetër të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me njerëz kompetentë, e cila nuk do të ketë ritmet e breshkës 4 për qind që kishte komisioni, por do të frymëzohet nga ritmet tuaja.
Jam i vetëdijshëm se ju përballeni me vështirësi të përditëshme, që kërkojnë zgjidhje. Erdha në këtë takim për t'ju siguruar se qeveria do të mbështesë fuqimisht këtë Agjencinë tuaj dhe Agjencinë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dy procese të një rëndësie vendimtare për stabilizimin e sistemit, në të cilin ne jetojmë. Prona dhe pronësia ka përcaktuar dhe përcakton karakterin e sistemit, paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e një vendi. Ndaj dhe ne duhet ta përjetojmë kët si një mision të madh".