E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklaratë e rektorit Shaska

Të nderuar kolegë, studentë, qytetarë të Vlorës!

Duke pasur parasysh zhvillimet e ditëve të fundit mbi problemin e pranimeve të studentëve të rinj, reagimin tepër indinjues të pedagogëve dhe studentëve të Vlorës dhe mbarë opinionit publik mbas intervistës së drejtoreshës së Arsimit të Lartë, rastet e dhunës së përdorur nga prindërit dhe të ashtuquajturit studentë dhe abuzimet e hapura karshi stafit administrativ dhe pedagogjik të universitetit tonë, në emër të gjithë personelit akademik dhe jo-akademik, gjithë studentëve dhe ish-studentëve tanë, ju bëj thirrje institucioneve dhe individëve si më poshtë:

1) Gjithë prindërit dhe studentët që pretendojnë të bëhen pjesë e universitetit tonë të qëndrojnë larg veprimeve të dhunës, kërcënimeve të personelit tonë, huliganizmit dhe dhunimit të një institucioni të dijes dhe shkencës siç është universiteti. Dituria nuk fitohet me dhunë dhe në bankat e UV-së nuk duhet dhe nuk do të futet njeri me dhunë. Unë i këshilloj të gjithë ata të rrinë larg dyerve të universitetit, pasi në asnjë mënyrë nuk do mund të futen në auditorët e këtij institucioni me dhunë.

2) MASH-i dhe veçanërisht znj. Elida Hoxha të distancohet nga nxitja e dhunës, nga nxitja e këtij grupi violent për shkatërrimin e Universitetit të Vlorës. MASH duhet të dalë dhe të distancohet publikisht nga këto veprime dhune.

3) Policia e Vlorës të jetë më e pranishme dhe më pranë universitetit në këto ditë kur institucioni ynë po dhunohet.

4)I bëjmë thirrje Bashkisë së Vlorës të ndihmojë me policinë bashkiake, me njerëz dhe me ndihmë institucionale që UV-ja të mos shkatërrohet.

5)Deputetët e Vlorës të mbrojnë interesat e Universitetit të Vlorës, të shprehen hapur dhe publikisht në mbështetje të autonomisë akademike të universitetit.

6)U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike pa asnjë dallim të distancohen nga dhuna dhe ta dënojnë hapur këtë dhunim të institucionit më të lartë të shkencës dhe dijes në Vlorë.

Ne pedagogët dhe studentët e universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës, në asnjë mënyrë nuk do të dëshironim ta shihnim institucioni tonë të digjej dhe shkatërrohej përsëri.

Nëse situata do të përkeqësohet, unë do të urdhëroj pezullimin e çdo aktiviteti në UV dhe mbylljen e universitetit deri në sigurimin e normalitetit dhe qetësisë nga qeveria.

Në emër të pedagogëve dhe studentëve të Vlorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›