Fier, mungojnë tekstet në shumë shkolla
Ndonëse javës së dytë të vitit arsimor 2009-2010 po i vjen fundi, një pjesë e nxënësve nuk janë të pajisur me tekste shkollore. Të dhënat e depozituara nga drejtoritë e 126 shkollave të Rrethit të Fierit pranë Drejtorisë Rajonale të Arsimit tregojnë se në shkollat e sistemit 9-vjeçar dhe ato të mesëm ka mungesa të teksteve shkollore. Mihal Krimçe, specialist i trajnimeve në DRA-në e Fierit, në një prononcim për "Shqip" sqaroi se ka shkolla ku mungojnë 15 për qind e teksteve. "Mbetet shqetësues fakti i moskompletimit me të gjithë titujt e lëndëve i nxënësve të klasave të 10-a. Por, ka mungesë të theksuar tekstesh edhe në sistemin 9-vjeçar, klasat e 11-a dhe të 12-a", tha Krimçe. Interesimi i drejtorisë së arsimit në Fier ka qenë i përditshëm, me qëllim evidentimin e saktë të nxënësve pa tekst. Janë lëndë të posaçme të klasave të 10-a, të cilat ende nuk kanë ardhur nga katër distributorët e librit shkollor që janë miratuar në qytetin e Fierit. "Shtëpitë botuese kanë shkelur afatet. Ne si drejtori arsimore kemi kërkuar ndërhyrjen e MASH-it, gjë të cilën e kemi kërkuar që në mesin e muajit gusht e në vijim", tha Mihal Krimçe. Deri më sot, asnjë shtëpi botuese që ka kaluar afatet e dorëzimit të tekstit shkollor, nuk është ndëshkuar apo gjobitur nga MASH.