E Diel, 1 Nëntor 2026

Heqin mësuesen nga puna, nxënësit braktisin mësimin

Largimi nga puna i 52 mësuesve të shkollave 9-vjeçare e të mesme të Rrethit të Beratit, për shkak të numrit të pakët të nxënësve nëpër shkolla, ka krijuar jo pak anomali në zhvillimin normal të mësimit. Kështu, largimi nga puna i një mësueseje në shkollën 9-vjeçare "Qazim Bejko" në fshatin Bilç të Rrethit të Beratit ka detyruar 22 nxënësit e klasës së katërt që në shenjë proteste të braktisin mësimin.

Nxënësit nuk zhvilluan asnjë orë mësimi, edhe pse drejtoria e shkollës ka bërë zëvendësimin e mësueses me kolegun e saj të klasës së parë. Ndërkohë, arsimtarja e pushuar nga puna, Salushe Bendo, e ka konsideruar si të padrejtë shkurtimin e vendit të saj të punës dhe ka penguar futjen në klasë të zëvendësuesit të saj. Në mbështetje të saj kanë dalë edhe nxënësit e kësaj klase dhe prindërit e tyre. Nxënësit kanë preferuar që mësuesja t‘u japë mësim në kushte private, jashtë territorit të shkollës, duke mos pranuar që mësuesi i ri të futet në klasë.

Ndërkohë, drejtori i shkollës 9-vjeçare, Çlirim Tare, u shpreh për gazetën se këto janë vetëm pakënaqësi të vogla që do të zgjidhen me kalimin e ditëve, dhe pse nga ana tjetër vetë nxënësit dhe prindërit shprehen se mësimi nuk ka filluar për këtë vit. Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë Arsimore në Berat, Yzedin Hima, ka pranuar shqetësimin e krijuar në shkollën 9-vjeçare të fshatit Bilç. Sipas tij, largimi nga puna i arsimtares Salushe Bendo ka ardhur për shkak se ajo nuk ka arsimimin përkatës. Në kuadër të shkurtimeve të ardhura pas uljes së numrit të nxënësve nëpër shkolla, Bendo u hoq pasi nuk plotësonte kriteret e nevojshme për të zhvilluar procesin e mësimdhënies. Hima ka sqaruar se mësuesit e larguar nuk duhet të bëhen pengesë në zhvillimin e mësimit, pasi në të kundërt do të merren masa edhe ndaj drejtorëve të shkollave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›