Kryeministri Berisha pret një grup studentësh të Fakultetit të Ekonomisë
Kryeministri Berisha priti një grup studentëve të Fakultetit të Ekonomisë dhe Buznesit, të cilët edhe këtë vit sollën në Shqipëri çmimin e dytë në Europë dhe të tretin në botë, nga konkursi ndërkombëtar i radhës, në kuadër të organizatës SIFE (Students In Free Enterprise) Në këtë konkurs paraqiten projekte ambicioze në fusha të sipërmarrjes së lirë.
Kryeministri vlerësoi se ky grup studentësh sipërmarrës të Fakultetit Ekonomik janë simbol i suksesit të shpirtit sipërmarrës të të rinjve të Universitetit të Tiranës. Kryeministri i përgëzoi ata për suksesin e arritur dhe theksoi se vlerësimin e saj për këtë sukses, qeveria e konkretizoi edhe me shpërblimin që do t’u japë këtyre studentëve për rezultatet e arritura. Kryeministri u shpreh se çmimi i marrë prej tyre është shumë i rëndësishëm edhe për vendin, pasi ata janë promovimi më i mirë i Shqipërisë në tregun ndërkombëtar, për të tërhequr investitorët e huaj dhe interesin në rritje për turizëm.
Nga ana e tyre, Studentët u shprehën se ndiheshin shumë të emocionuar për vlerësimin që ata gjejnë nga ana e qeverisë dhe premtuan se do të intensifikojnë përpjekjet për të promovuar imazhin e Shqipërisë përpara investitorëve të huaj dhe për të promovuar imazhin e sipërmarrësve të rinj, të sapodiplomuar, në ambientin e biznesit.
Kryeministri i konsideroi ata “ambasadorët” më të mirë të imazhit të vendit, duke u shprehur se ata duhet të ndihen krenarë për kontributin që po japin në këtë drejtim.