E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta, elementi që po shtrenjton çdo ditë jetën e shqiptarëve

Në pikat e tregtimit me pakicë, nafta 170 lekë. Importuesit thonë se çmimi do të vazhdojë rritjen

Ervin Koçi

Ndonëse pa kuptuar, nafta dhe diagrami vetëm në rritje e çmimit të saj janë kthyer në një prej elementeve që po kushtëzojnë koston e jetesës së shqiptarëve. Duke nisur që nga transporti interurban dhe urban, për të vazhduar me koston në importe dhe eksporte, e deri tek tregtia, industria dhe bujqësia, hidrokarburet janë faktori kryesor i rritjes së kostos. Vetëm gjatë ditës së djeshme çmimi i naftës ka mbërritur në 170 lekë për litër në disa pika të tregtimit me pakicë në kryeqytet. Çmimi për eurodieselin në pikat e tregtimit në kryeqytet vërtitet nga 163 lekë për litër, deri në 170 lekë për litër. Ndërsa, përsa i përket naftës “D2” ajo ka një çmim që varion nga 160-163 lekë për litër. Kështu, eurodieseli vazhdon që të mbajë një çmim më të lartë se benzina, në të gjithë pikat e tregtimit me pakicë në kryeqytet. Por gjatë ditëve të fundit, çmimi i naftës në bursa ka pësuar një rënie të re, duke u kuotuar në rreth 125 dollarë për fuçi, çmim ky 10 dollarë më i ulët se rekordi i arritur gjatë javës së kaluar.

Efekti zinxhir

Rritja e çmimit të naftës dhe benzinës, sipas specialistëve të ekonomisë dhe transportit, sjell gjithmonë efekte zinxhir edhe në mallrat dhe shërbimet e tjera në të cilat ajo përdoret si lëndë e parë, ose si element mbështetës. Por kësaj situate qeveria në vend që t’i përgjigjej me një masë lehtësuese si për bizneset, ashtu edhe për tregtuesit dhe importuesit e hidrokarbureve, duke ulur disa prej taksave dhe akcizën, ajo veproi ndryshe. Kështu, qeveria vendosi që të rrisë çmimet e biletave të transportit urban me 50 për qind. E njëjta situatë është duke u përjetuar edhe përsa i përket çmimeve të biletave në të gjithë transportin interurban të qytetarëve, që realizohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga privatët. Kështu, çmimet e të gjitha biletave të shërbimit interurban kanë pësuar një rritje të ndjeshme, që prej fundit të vitit 2007. Por me rritjen e fortë të çmimeve të naftës, një nga sektorët që po përjeton krizën e radhës, është dhe bujqësia. Kostot e shumta po rëndojnë mbi fermerët, që për shkak edhe të nivelit të pakët të tokës në pronësi, nuk mund që të bëjnë asgjë për të përfituar nga kjo situatë. Ngritja e një strukture të veçantë të specializuar që do të rekomandonte masa konkrete për të ndihmuar në këtë situatë, do të ishte një zgjidhje e mirë. Të tilla institucione tashmë po operojnë në shumë vende që po përballen me krizën botërore. Përsa i përket çmimeve të hidrokarbureve, specialistët theksojnë se Shqipëria vuan nga një mungesë e shërbimit cilësor urban, që do të ishte me një kosto të ulët për qytetarët. Shqipëria vazhdon që të jetë në nivele të ulëta edhe përsa i përket numrit të makinave për banorë, krahasuar me vendet evropiane, edhe pse konsumi i karburanteve nga mjetet që qarkullojnë në vend është në nivele të larta.

Ankesa e importuesve

Importuesit e hidrokarbureve nuk reshtin së ankuari kur vjen fjala për uljen e çmimit të naftës, në një kohë kur ajo ndodh edhe nëpër bursat ndërkombëtare. Ata këtë e justifikojnë me sasinë e pakët të karburantit që fusin në vend, për shkak të mungesës së depozitave të mëdha (tanker), që mund të sigurojnë sasi të mëdha rezerve për të zbutur momentet e krizave. Por askush nuk i jep shpjegim faktit pse atyre nuk u mbaron kjo sasi e vogël hidrokarburesh, sa herë që ndodhin uljet e çmimit në bursa. Madje ky fakt mbetet i pashpjegueshëm edhe nga vetë drejtuesit e shoqatës më të madhe në vend, asaj të Importuesve Shqiptarë të Hidrokarbureve. Këta të fundit madje sa herë që ka ngritje të reja të çmimit, ia vënë fajin taksave të larta për hidrokarburet që janë në vend. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës, Viktor Nushi, shkak për rritjen e çmimit janë edhe mungesa e rezervuarve të mëdhenj për të depozituar karburantin nga ana e firmave importuese, si dhe spekulimet në treg që bëjnë tregtarët e pakicës. Depozitat më të mëdha të naftës janë vendosur në Portin e Shëngjinit, të Vlorës dhe të Durrësit në vendin tonë. Në muajin prill Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Inspektorati Qendror Teknik mbyllën çdo aktivitet të shkarkimit dhe depozitimit të karburanteve të të gjitha llojeve në rajonin e Portit të Shëngjinit, duke e konsideruar si të pasigurt për sa i përket rrezikut që përbën. Vendimi është marrë për të parandaluar dëmtimin e mundshëm të pronës dhe sidomos të mjedisit. Tregtarët shqiptarë të shumicës vazhdojnë të mbajnë rezerva të vogla të nënprodukteve të naftës, çka lidhet me mungesë të likuiditeteve të nevojshme, deri në 40 milionë euro për këtë qëllim. Ndonëse rreth 70 për qind e këtij tregu është i liberalizuar, transporti i nënprodukteve të naftës nga importi vazhdon të bëhet kryesisht përmes transportit rrugor, ndërsa ai detar me anije të vogla deri në 2 mijë tonë. Ende te ne mungon transporti me tubacione, si dhe transporti detar me tankera të mëdhenj, që ndikon direkt në rritjen e madhe të kostos që shfaqet në tregun e shitjes me pakicë në Shqipëri.

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›