Deklarimi, 27 zyrtarë nuk dorëzuan formularët
Inspektorati deklaron se formulari nuk është dorëzuar kryesisht nga kryetarët e disa komunave në vend
TIRANË- Drejtuesit e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive deklaruan se do të gjobisin 27 të subjekte të cilat nuk kanë dorëzuar në kohë deklaratën e pasurisë. Në përfundim të procedurës së vetëdeklarimit të pasurive, sipas të dhënave nga institucioni hetimor, rezulton se 27 zyrtarë, kryesisht kryetarë komunash në zona periferike të vendit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrim ligjor dhe për pasojë do të gjobiten me një shumë nga 20 deri në 25 mijë lekë.
"Nga rakordimet që ka kryer Inspektorati i Lartë, rezulton se 27 subjekte nuk e kanë përmbushur afatin ligjor për dorëzimin e deklaratës së interesave private vjetore. Këta zyrtarë, në pjesën më të madhe, janë drejtues lokalë, ndërkohë që të gjithë zyrtarët e lartë dhe të mesëm të nivelit drejtues e kanë respektuar afatin ligjor.
Është për t'u theksuar se, këtë vit është vënë re një ndërgjegjësim i lartë i zyrtarëve për respektimin e afateve ligjore ",- theksohet në njoftimin zyrtar të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive. Subjektet që nuk kanë dorëzuar në kohë procesverbalin e deklarimit të pasurisë, janë kryetarë komunash, në rrethet e Kukësit, Peqinit, Elbasanit, Dibrës, Pogradecit, Korçës, Fierit, Lushnjës, etj.
Po ashtu, në listë përfshihe edhe disa inspektorë të Drjetorive të Tatimeve, në rrethe të ndryshme të vendit përfshirë edhe Tiranën. Deklarimi i interesave private ka pasur edhe një veçori specifike këtë vit, pasi për herë të parë, zyrtarët kanë pasur detyrim për plotësimin e një formulari të veçantë me gjeneralitetet e personave të lidhur, që janë fëmijët në moshë madhorë, apo prindërit e bashkëshortit ose bashkëshortes të subjektit.
"Nëpërmjet këtij ndryshimi, Inpektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive pritet të ketë rezultate pozitive në evidentimin, parandalimin dhe zgjidhjen e rasteve të konfliktit të interesave",- tha kreu i ILDKP-së, Adriatik Llalla .