Deklarimi: Na dënoni për moskallëzim, vrasjen e kreu Entoni
Duke ia kaluar fajin shokut, i kërkojnë gjykatës një masë të butë dënimi dhe ndryshim të kualifikimit të akuzës, nga “vrasje me paramendim me qëllim hakmarrjen në bashkëpunim” në “moskallëzim krimi”. Kjo ka qenë kërkesa e dy prej tre të pandehurve të akuzuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tyre, Erlin Shepllo. Të pandehurit Elvis Fikaj dhe Klajdi Hoxholli i kërkuan dje trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Ritvan Hado të akuzoheshin për veprën penale të “moskallëzimit të krimit”, pasi ata nuk kishin marrë drejtpërdrejt pjesë në ngjarje. "Ne nuk kemi gisht në vrasje, kemi qenë ditën e ngjarjes, por nuk kemi qëlluar. Mbi viktimën ka qëlluar Enton Nikaj. Ne mblodhëm vetëm gëzhojat që ndodheshin në tokë, për të zhdukur çdo gjurmë. Jemi të pafajshëm, prandaj dhe nuk jemi larguar, pasi nuk kemi lidhje me këtë ngjarje", - kanë deklaruar para trupit gjykues dy të pandehurit. Dy të pandehurit kanë argumentuar gjatë konkluzioneve të tyre përfundimtare se ata nuk kishin treguar rrethanat e ngjarjes dhe për këtë duhet të dënohen, por jo për krimin, pasi viktima ishte qëlluar nga i pandehuri Enton Nikaj. Në fund, të pandehurit kanë kërkuar një dënim më të butë sesa ai i kërkuar nga ana e prokurorisë. Kjo e fundit, i kërkoi togave të zeza dënimin me 40 vjet burg për dy të pandehurit, për veprën penale të “vrasjes me paramendim me qëllim hakmarrjen, në bashkëpunim”, përkatësisht nga 20 vjet secilin. Ngjarja për të cilën akuzohen tre të pandehurit ka ndodhur në shkurt të vitit 2006.
Rigjykimi
Dosja e tre të pandehurve është kthyer për rigjykim nga Gjykata e Lartë, me kushtin e vetëm që të gjykohen me ndryshimin e kualifikimit të veprës penale. Gjatë gjykimit të mëparshëm, vetëm njëri prej të pandehurve, Enton Nikaj, është dënuar me 20 vjet burg, si autor i vrasjes, ndërsa dy të pandehurit e tjerë janë dënuar nga 3 vjet për përkrahje të autorit të krimit. Por, prokurori i Apelit u kërkoi togave të zeza dënimin me 25 dhe 24 vjet për tre të pandehurit, duke i cilësuar si bashkëpunëtorë në vrasje dhe për këtë u kthye sërish për rigjykim në Gjykatën e Tiranës. Ndryshe nga gjykimi i parë, gjatë rigjykimit nuk u lejua aplikimi i gjykimit të shkurtuar, pasi dy nga të pandehurit Hoxhalliu dhe Fikaj pretenduan se nuk kanë lidhje me vrasjen e Erlin Shepllos. Viktima është transportuar me makinë nga të pandehurit, me të cilët jetonte në të njëjtën lagje, për në periferi të kryeqytetit. Së bashku, siç u provua nga organi i akuzës, të pandehurit dhe viktima kishin rënë dakord për shitjen e një pistolete tip “Zastava”. Por, pas disa ditësh, i pandehuri Enton Nikaj ia kishte kërkuar sërish pistoletën, duke premtuar se do ia rikthente. Me gjithë premtimin e bërë, ndonëse ia kishte kërkuar disa herë kthimin e pistoletës, Nikaj nuk ia ka kthyer viktimës Shepllo. Por, ka qenë pikërisht djegia e makinës së Nikajt që ka shtuar edhe më tepër konfliktin mes të rinjve. Tre të pandehurit kanë marrë në makinë Erlin Shepllon, duke i thënë se do shkonin ta merrnin pistoletën tek një shok i Entonit, duke u drejtuar për në Shishtufinë. Aty në debat e sipër, i pandehuri Nikaj ka qëlluar me pistoletë Shepllon dhe më pas kanë kryer disa veprime për të penguar zbulimin e së vërtetës.