Nuni bashkë me familjen braktisin Shqipërinë
Anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, i plagosur tri javë më parë ka udhëtuar me bashkëshorten dhe djalin në SHBA
Gjyqtari ka pohuar dje për "Shekullin", se ishte larguar për të pushuar ca kohë dhe për t'u kuruar pas plagëve të marra nga atentati ndaj tij
TIRANË- Ardian Nuni, gjyqtari i Gjykatës së Lartë i plagosur rreth 20 ditë më parë në kryeqytet, braktis Shqipërinë duke udhëtuar në drejtim të SHBA-së, bashkë me familjen. Largimi i Nunit në drejtim të SHBA-së, është konfirmuar nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilët theksuan se bashkë me familjen fundjavën e kaluar gjyqtari Nuni është larguar nga Shqipëria duke udhëtuar matanë Atlantikut.
Largimi i tij nga Shqipëria, është konfirmuar edhe nga kolegët e tij të Gjykatës së Lartë dhe pedagogët e Fakultetit të Drejtësisë ku ai ligjëron lëndën e së Drejtës Civile.
Sipas tyre, ka disa ditë që gjyqtari Nuni është larguar nga Shqipëria bashkë me familjen, për shkak të rrezikut që i kanoset për jetën. Këtë version, vetë gjyqtari Nuni i kontaktuar nga "Shekulli" e ka hedhur poshtë, duke u shprehur se "jam duke bërë disa kontrolle mjekësore dhe po pushoj.
Shumë shpejt do të kthehem në punë pranë Gjykatës së Lartë",- ka sqaruar gjyqtari me anë të një mesazhi telefonik me tekst. Ndërkohë burime zyrtare pranë Avokatit të Popullit, ku bashkëshortja e gjyqtarit Nuni kryen detyrën e nën\komisioneres, konfirmuan largimin e saj nga puna, me një leje dy javore.
Gjyqtari Ardian Nuni, 40 vjeç, anëtar i Gjykatës së Lartë mbeti i plagosur pas një atentati nga persona ende të panjohur. Për fatin e tij të mirë gjytari mori plagë anësore që nuk i rrezikonin atij jetën.
Nga hetimet gati një mujore të çështjes, policia, nuk ka mundur të zbardhë ndonjë detaj me vlerë për identifikimin që do të dërgojë në arrestimin e atentatorit, që qëlloi me katër plumba ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, gjyqtarit Ardian Nuni.
Si asojë e këtij atentati të dështuar, gjyqtari Nuni mbeti vetëm i plagosur me tre plumba në trup. Policia e ka shtrirë hetimin e saj në disa pista, me qëllim zbardhjen e motiveve dhe shkaqeve të ngjarjes dhe autorëve të saj.
Nuni, që prej ditës së plagosjes së tij, ka munguar në punë dhe për shkak të kësaj ngjarjeje burimet thonë se ai mund të mungojë për një periudhë prej 6 muajsh.
Ndërkaq, burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës sqaruan se "hetimet për zbardhjen e ngjarjes së 8 shkurtit 2008 ku u plagos gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, po vazhdojnë, por deri më tani ende nuk mund të thuhet asgjë në lidhje me këtë çështje".
Ndërkohe, theksuan se atentati ndaj gjyqtarit Nuni i dënuar nga i gjithë spektri politik gjyqësor dhe opinionin në vend përfshi dhe institucionet e huaja në Tiranë, ndodhi rreth orës 23:45 minuta të mbrëmjes së 8 shkurtit 2008, në lagjen "Komuna e Parisit" pranë hyrjes së pallatit ku gjyqtari banonte.
"Mbrëmjen e së dielës së datës 8 shkurt, në kohën kur gjyqtari Nuni po kthehej nga një darkë me disa miq dhe sapo ka parkuar makinën në lagjen pranë pallatit ku ai banonte është drejtuar për në hyrjen e banesës.
Sapo ka arritur tek shkallët e hyrjes së pallatit ku ai banonte në lagjen "Komuna e Parisit" është qëlluar me katër plumba nga një person i veshur me të zeza dhe me kapuç dimëror.
Nga katër të shtënat e dala nga gryka e pistoletës nga një largësi prej një metër, tre prej tyre e kanë qëlluar duke i shkaktuar edhe plagë në këmbë, shpatull dhe krah"-thuhet nga prokuroria.
Menjëherë pas ngjarjes, gjyqtari Nuni u mor në pyetje, por dëshmia e tij, nuk ka dhënë ndonjë orientim të qartë për pistat e hetimit të nevojshme për policinë. Sipas hetuesve ato janë renditur në disa të tilla, që nga ajo personale e deri tek shkaku i punës si gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë.