Regjistrohen 115 të dënuar, 4 burgjet e para me shkollë 9-vjeçare
Arsimimi në burgje ka qenë një nga projektet më ambicioze në burgje. Madje, i konkretizuar me një marrëveshje mes dy ministrive, asaj të Drejtësisë dhe Arsimit, me mbështetje nga Ministria e Financave, javën e ardhshme do të hapet shkolla e parë në burgun e Fushë-Krujës. Më pas, në javët në vazhdim do të hapen shkollat 9-vjeçare edhe në burgjet Korçë, Burrel dhe Rrogozhinë. Deri tani, sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, përfitues do të jenë rreth 115 persona, ndërkohë që të tjerë pritet të regjistrohen. Të dënuarit, sidomos ata të paarsimuarit fare, por edhe ata që e kanë lënë përgjysmë shkollën, do kenë mundësinë të vijojnë studimet që nga klasa e parë deri në të 9-ën. Kështu, pas përfundimit të kohës së burgut do kenë mundësinë të vazhdojnë pjesën tjetër të studimeve. Të burgosurve, që nuk e kanë përfunduar arsimin nëntëvjeçar, u krijohen kushte për përfundimin e tij, me program të veçantë të miratuar nga Ministria e Arsimit. Kjo përcaktohet në nenin 75 të rregullores së burgjeve, në draftin me ndryshime të paraqitur për miratim në Ministrinë e Drejtësisë. Kjo bëhet me qëllim që për të miturit e burgosur, të merren masa që të mos ndërpresin vazhdimin e arsimit të detyruar. Mësimdhënia do të realizohet nga mësues, të cilët do të financohen nga Ministria e Financave. Në përfundim, i burgosuri pajiset me dokumentin që vërteton përfundimin e arsimimit dhe rezultatet e tij. Kështu, në këtë mënyrë nxitet pjesëmarrja e të burgosurve për arsimimin në nivele më të larta brenda dhe jashtë institucionit. Institucioni për të burgosurit që studiojnë në nivelin 9-vjeçar dhe të mesëm, merr përsipër mbulimin e shpenzimeve për arsimim. Ndërkohë që në një nen tjetër, përkatësisht neni 76 i rregullores, përcaktohet që nga institucionet e vuajtjes së dënimit duhet të organizohen kurse për përgatitjen profesionale të të burgosurve. Sipas marrëveshjes, mësimdhënia realizohet në institucion ose jashtë institucionit nga profesionistë, përzgjedhja e të cilëve dhe dhënia e autorizimit përkatës bëhet nga drejtori i institucionit. Në këtë mënyrë synohet të nxitet pjesëmarrja e të burgosurve që kanë nevojë për të frekuentuar këto kurse.