E Diel, 1 Nëntor 2026

Prençi: Bashkëpunimi mes policisë shqiptare dhe asaj malazeze do të thellohet



Operacioni i ndërmarrë nga policia shqiptare dhe ajo malazeze ku u vunë në pranga 25 veta dhe u bllokua një sasi prej 35 kg hashash, është vlerësuar nga të dyja palët si një shembull i suksesshëm i bashkëpunimit rajonal. Gjatë një konference për shtyp, ku morën pjesë drejtori i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi dhe homologu i tij malazez, Veselin Veljoviç, vlerësuan bashkëpunimin e bërë midis dy palëve dhe siguruan që një gjë e tillë do të vazhdojë të bëhet edhe në të ardhmen, duke u thelluar edhe më tej.

Drejtori i përgjithshëm i policisë së Malit të Zi u shpreh: “Bashkëpunimi ynë konsiston në operacione dypalëshe dhe patrulla të përbashkëta ndërkufitare, të cilat dhanë rezultatet e tyre tepër eficiente në goditjen e rrjetit kriminal, ku u arrestuan 25 shtetas dhe u kap një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike”.

Për numrin një të policisë shqiptare “operacioni për shkatërrimin e këtij grupi kriminal dhe arrestimi i 3 punonjësve të policisë malazeze tregon vullnetin dhe punën e dy policive për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme. Vazhdimësia e operacioneve të ngjashme do të thellohet dhe më tej në të ardhmen për menaxhimin perfekt e të integruar ndërkufitar. Bashkëpunimi reciprok dhe eficient midis policive të vendeve të rajonit është mesazh i qartë integrues drejt vendeve të BE-së dhe aleancës euroatlantike”. Në operacionin e madh policor antidrogë, të quajtur “Pëllumbi” në relacionin Mali i Zi – Shqipëri në territorin e Podgoricës, Tivarit dhe Nikshiqit, policia malazeze ka arrestuar 25 veta, të dyshuar se nëpërmjet territorit të Malit të Zi kanë bërë kontrabandë me drogë në drejtim të Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë dhe vendeve të Evropës Perëndimore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›