Ministria e Brendshme: Shqipëria, vend i sigurt dhe me rezultate ndaj krimit
Ministria e Brendshme ka hedhur poshtë deklaratat e bëra nga Partia Socialiste, sipas të cilave, në vend nuk funksionon shteti ligjor. Në një konferencë për shtyp të zëdhënësit të këtij institucioni, Fatmir Konja, tha se sot, më shumë se asnjëherë tjetër, shqiptarët kanë në krah shtetin e së drejtës dhe funksionimin e ligjit. “Instrumentet e sigurisë publike dhe funksionimi i tyre në luftën kundër krimit përbëjnë një nga arritjet më madhore të qeverisë shqiptare. Institucionet më prestigjioze ndërkombëtare e klasifikojnë sot Shqipërinë si një vend të sigurt dhe me rezultate të larta në luftën kundër krimit të organizuar”, - thekson zëdhënësi i MB-së, Fatmir Konja.
Ai ka përmendur një sërë raportesh, ku Shqipëria vlerësohet me nota pozitive në luftën e saj kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar. Raporti më i fundit i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve e klasifikon Shqipërinë si një vend jashtë linjës kryesore të transitit të drogës. “Sot Shqipëria ka një nivel kriminaliteti më të ulët se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian. Të gjitha figurat e krimit sot në Shqipëri rezultojnë më të ulëta se një vit më parë dhe zbulueshmëria e tyre është rritur në nivelin 80%”, - vijon deklarata.
Kjo ministri iu premton qytetarëve se “strukturat e Policisë së Shtetit e vullneti politik i kësaj qeverie, që bëri të mundur dërgimin para drejtësisë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale dhe mos humbjen e qoftë edhe një jete të vetme të punonjësve të policisë, do të vazhdojë të jetë i pandryshueshëm”.