E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarimi: Nuk e dija që më kishin futur para në xhep

Gjykata e Tiranës caktoi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për mjekun urolog, i akuzuar se kishte marrë para për operacionin e një pacienteje. Paratë mjekut iu gjetën në xhep, menjëherë pas përfundimit të operacionit. Ndërkaq, togat e zeza lanë të lirë babanë e pacientes, Ibrahim Hoxha. Grupi hetimor, i cili kishte nisur hetimet për mjekun e njohur Dautaj që në muajin janar të këtij viti, kishte dalë në përfundimin se Dautaj kishte pranuar ryshfete edhe në raste të tjera nga të afërmit e pacientëve, fakt që është mohuar kategorikisht nga vetë i pandehuri. Lidhur me këtë fakt, mjeku ka deklaruar në sallën e gjyqit se nuk ishte në dijeni të shumës që babai i pacientes i kishte futur në xhep dhe se ai ishte një mjek i nderuar. Por, pretendimet e ngritura nga mjeku para gjyqtares nuk qenë bindëse dhe nuk qe bindëse as garancia pasurore e ofruar, duke bërë që në fund të seancës për Kastriot Dautajn të caktohej masa e sigurisë “arrest me burg”. Me caktimin e kësaj mase, gjykata i la kohë organit të akuzës që të hetojë edhe më tepër dhe të grumbullojë prova të tjera që fajësojnë mjekun, pasi në gjashtë muaj hetime, nga grupi hetimor janë zbuluar edhe abuzime të tjera të kryera nga ky mjek.

Deklarimet

“Nuk kam kërkuar para për operacionet. Babai i pacientes m’i ka futur vetë lekët në xhep pas operacionit të kryer dhe unë as që pashë. Po ta dija se kisha para në xhep, kur mësova se po më priste një oficer policie, do t’i kisha hequr nga xhepi”, - u mundua të mbrohej para togave të zeza dhe të kundërshtonte akuzat e prokurorit të çështjes, Dritan Rreshka, mjeku i akuzuar për ryshfet dhe i arrestuar në flagrancë gjatë operacionit të koduar “Veshka e humbur”. Ndërkohë që gjatë seancës së masës së sigurisë, mjeku u mundua të justifikonte edhe sasinë e madhe të parave të gjetura në dy llogaritë bankare. Sipas tij, ato para janë fryt i 40 viteve punë të tij dhe bashkëshortes, 4 rrogat që merrte si mjek edhe në klinika, si dhe prurjet e dy djemve që kishte në Amerikë. Por, asnjë nga argumentet e mësipërme nuk kanë qenë bindëse për gjyqtaren e gatshme, e cila pasi dëgjoi të dyja palët, refuzoi kërkesën e mbrojtjes për të ofruar garanci pasurore të çfarëdolloj shume, ndaj dhe në përfundim caktoi ndaj mjekut 66-vjeçar masën “arrest me burg”, duke e dërguar në qelitë e paraburgimit. Arrestimi i tij u bë pas 6 muajsh përgjime, të nisura nga policia fill pas denoncimeve të një pacienteje se doktori merrte shuma të konsiderueshme parash për një operacion të kryer. Madje, ndaj tij rëndon edhe një akuzë për shitjen në Kosovë të veshkës së një shtetaseje, e cila as që kishte dijeni për heqjen e saj. Mjekut urolog iu gjetën në momentin e arrestimit 50 mijë lekë të reja, të cilat i ishin dhënë me dëshirë nga babai i pacientes së sapooperuar.

Lirohet babai i pacientes

Gjykata caktoi dje masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për babanë e pacientes së operuar nga kirurgu Dautaj, të cilit i dha në fund të operacionit 50 mijë lekë. Xhevahir Hoxha është shprehur para togave të zeza se ia ka dhënë vetë lekët të pandehurit, pasi kishte dëgjuar se sa kërkonte për një operacion. Sipas burimeve nga gjykata, mësohet se Hoxha është shprehur për mjekun se “kisha dëgjuar nga të tjerët sa i jepnin mjekut Kastriot Dautaj për një operacion dhe në përfundim i futa në xhep 50 mijë lekë”. Për këtë shtetas, i akuzuar për veprën penale “korrupsion aktiv”, u kërkua caktimi i masës “detyrim paraqitjeje”, ndërkohë që mjeku u dërgua në qelitë e paraburgimit.

Somario

“Babai i pacientes m’i ka futur vetë lekët në xhep pas operacionit të kryer dhe unë as që pashë. Po ta dija se kisha para në xhep, kur mësova se po më priste një oficer policie, do t’i kisha hequr nga xhepi”

Detaj

66-vjeçari deklaroi se paratë e bllokuara në bankë kishin ardhur nga 40 vitet e tij në punë si mjek

4 rrogat që merrte, rroga e bashkëshortes dhe puna e 2 djemve në Amerikë, sipas tij, justifikonin shumën e madhe

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›