Atentati, qëllohet me silenciator Aleksandër Akulli
As nuk kanë parë e as nuk kanë dëgjuar ndonjë gjë të dyshimtë, kur papritur këmbësori që po ecte aty pranë, ka rënë pa ndjenja përtokë. Ngjarja ka ndodhur pak para mesnatës së të martës në zonën e Kombinatit në kryeqytet, kur Aleksandër Akulli është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Për pasojë, Akulli ka marrë një plagë në trup dhe është transportuar me urgjencë për në spital. Ngjarja është konfirmuar një ditë më parë nga burime të policisë së Tiranës, sipas të cilave, nga dëshmitë e mbledhura deri më tani nga persona që kanë qenë pranë skenës së krimit, rezulton të mos jetë dëgjuar asnjë krismë arme. Për këtë arsye, dyshimet e ekspertëve të sektorit të krimit janë për një atentat ndaj të riut me silenciator dhe më pas autori është larguar me ndonjë automjet. Në këtë kuadër, burimet policore kanë thënë se në vendin e ngjarjes janë gjetur plot katër gëzhoja pistolete, por vetëm një plumb ka zënë objektivin. Ndërkaq, pista e parë ku janë përqendruar hetimet e policisë është ajo e hakmarrjes, pasi nga hetimet e deritanishme është nxjerrë në dritë se i plagosuri Aleksandër Akulli njihej nga policia si person me precedentë të mëparshëm penalë.
Është qëlluar me pistoletë me silenciator nga një makinë, teksa ecte në një nga rrugicat e zonës së Kombinatit në kryeqytet, për pasojë, Aleksandër Akulli, një i ri me banim në Tiranë, është plagosur nga një plumb i vetëm në trup dhe aktualisht ndodhet në mjediset e Spitalit Ushtarak. Këto janë disa nga të dhënat e një dite më parë për atë çfarë ka ndodhur rreth orës 23:00 të mbrëmjes së të martës në një nga lagjet periferike të Tiranës, ndërkohë që tashmë policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit. Kështu, nga të dhënat policore të deritanishme mësohet se atentati ndaj Akullit ka ndodhur në rrugë, kur mendohet që një makinë t’i jetë afruar nga prapa këmbësorit dhe dikush nga brenda ka qëlluar me pistoletë me silenciator.
Një gjë të tillë duket se policia e ka mbështetura në faktin se në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar katër gëzhoja pistolete, ndërsa ekspertiza ka nxjerrë se Akulli është plagosur vetëm nga një plumb në trup.
Ndërkohë, një ditë më parë ekspertët e krimit kanë marrë në pyetje një ditë më parë shumë të afërm të personit të plagosur, me qëllim për të zbuluar më shumë rreth jetës së tij. Gjithashtu, në arkivat policorë ka rezultuar se Aleksandër Akulli të jetë një person i njohur me precedentë të mëparshëm penalë, por se për shkak të hetimit nuk bëhet e ditur për çfarë.
Detaj ky, që për specialistët e sektorit të krimeve do të thotë se atentati kundër Akullit është një shenjë hakmarrjeje për ngjarjet e kaluara. Megjithatë, policia nuk ka lënë mënjanë edhe pistat e tjera për plagosjen e tij. Deri në orët e vona të djeshme, ndonëse në pyetje janë marrë shumë persona, autori ka qenë ende i paidentifikuar, ndërsa policia ka bërë me dije se është duke intensifikuar hetimet për të rënë sa më shpejt në gjurmët e tij.