Gjykatë; Skandali me tokat në Kashar, dështon sërish gjyqi
Ashtu si dhe gjatë seancës së masës së sigurisë, edhe në pritje të nisjes së gjykimit për 10 të pandehurit e akuzuar për pronat në Kashar, dhjetëra banorë kanë qëndruar në radhë për të ndjekur procesin që po zhvillohet në Gjykatën e Tiranës. Por, për shkak të pamundësisë së futjes së të gjithë atyre që kishin mbërritur për të ndjekur procesin, në sallën më të madhe të kësaj gjykate janë sistemuar vetëm gjysma e tyre, mes të cilëve edhe familjarët e të pandehurve. Megjithatë, pavarësisht peripecive deri në fillim të seancës, sërish kjo seancë ka shkuar drejt dështimit, e ardhur kjo si pasojë e moskonfirmimit të të pandehurve se kishin dijeni për njoftimin. Për momentin janë pas kafazit vetëm pesë të pandehur, ndërsa pesë të tjerët janë në gjendje të lirë. Arrestimi i krerëve dhe ish-krerëve të komunës Kashar u bë pas dhjetëra denoncimeve të banorëve, të cilët vunë në dijeni prokurorinë se pronat e tyre ishin mbivendosur dhe shitur disa herë. Mes të prangosurve janë dy ish-kryetarë të komunës Kashar dhe Alfred Sulaj, kryetar deri në momentin e prangosjes. Fashikujt hetimorë janë të shumtë, brenda të cilëve ka denoncime, prova, dokumente të falsifikuara, ekspertime dhe dëshmi të shumta rreth mbivendosjeve të pronave në Kashar.