Dështimi; Ndryshimi i avokatëve, shtyhet gjyqi i Bandës së Durrësit
Nisin sërish mungesat e avokatëve, për njërën apo tjetrën arsye, duke sjellë në këtë mënyrë edhe shtyrjen e seancës gjyqësore. Në procesin e djeshëm në ngarkim të Bandës së Durrësit, seanca është shtyrë pas i pandehuri Plaurent Dervishaj kërkoi ndryshimin e avokatit të tij, lojë që kanë filluar ta bëjnë shpesh të pandehurit e kësaj bande. Ndërkohë që edhe këtë seancë nuk kanë munguar debatet e avokatëve me policët e sigurisë së gjykatës, pikërisht në momentin që këta të fundit nisën ushtrimin e kontrollit para futjes në sallën e gjyqit. Avokatët refuzuan kontrollin nga policia, e cila ishte e pajisur me detektorë për kontrollin trupor dhe të çantave. Megjithatë, seanca e djeshme u shty për shkak të kërkesës së të pandehurit për ndryshimin e avokatit dhe për pasojë njoftimi i këtij të fundit nga gjykata.
Gjykatë
Yassin Kadia, padi Ministrisë së Financave
Nuk reshtin kërkesëpaditë e Yassin Kadisë për Ministrinë e Financave, konkretisht Drejtorinë e Sekuestrimit të Pasurive. Paralelisht në Gjykatën e Tiranës ishin duke u zhvilluar dy procese me të njëjtin objekt, ndërkohë që njëri nga gjyqtarët, Asim Vokshi, vendosi ta pezullonte gjykimin, pasi nuk mund të gjykohet e njëjta padi dhe me të njëjtin objekt nga e njëjta gjykatë. Kadia padit Drejtorinë e Sekuestrimeve dhe Konfiskimeve për vënien e pronave të tij nën masën e sekuestros, duke pretenduar se veprimi është i kundraligjshëm. Por, kur ende nuk kishte përfunduar shqyrtimi i kërkesës nga gjyqtari Vokshi, një kërkesë e ngjashme i ka mbërritur gjyqtares Elbana Lluri.