E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarimi i pasurive të kandidatëve, propozimi shqyrtohet nga KQZ-ja

Organizatat joqeveritare kanë kërkuar zbardhjen e pasurive së kandidatëve për deputetë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet ta shqyrtojë dhe miratojë këtë kërkesë

Shaban Sulçe

Propozimet e bëra kohët e fundit nga organizata të ndryshme joqeveritare për deklarimin e pasurisë së të gjithë kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit pritet të diskutohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Duket se do të jetë KQZ-ja ajo që do të ketë në dorë shqyrtimin e këtij propozimi, për të cilin ka pasur mjaft zëra nga përfaqësuesit e shoqërisë civile. Miratimi i një propozimi të tillë konsiderohet i rëndësishëm jo vetëm përsa i përket transparencës në politikë, por edhe për informimin e publikut dhe zgjedhësve në lidhje me kandidatët për deputetë. KQZ-ja në axhendën e saj ka planifikuar një mbledhje ku do të diskutohet për verifikimin e dokumentacionit të kandidatëve për deputetë, por, ndër të tjera, duket se do të diskutohet edhe propozimi për deklarimin e pasurive të tyre.

Propozimi
Ka qenë organizata joqeveritare “Transparency International” që ka kërkuar disa javë më parë nga partitë politike që të publikojnë listat e kandidatëve për deputetë, si dhe deklaratat e pasurive të tyre. “Me afrimin e datës së zgjedhjeve, “Transparency International Albania” e vlerëson si tepër të rëndësishme transparencën e partive politike në vend për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë. “Transparency International Albania” u bën thirrje partive politike të bëjnë publike CV-të e kandidatëve që do të kërkojnë të përfaqësohen në Kuvendin e ardhshëm. Qëllimi i kësaj kërkesë është në favor të publikut shqiptar, që ky i fundit të jetë mirinformuar në kohë për personin që do të zgjedhë si deputet të ardhshëm, që do ta përfaqësojë më pas elektoratin e tij në sallën e Kuvendit. “TIA” kërkon që transparenca ndaj kandidatëve të shkojë edhe përtej CV-ve, deri në biografitë dhe pasuritë e tyre aktuale. Me këtë nismë synohet që të minimizohen shanset që në Kuvendin e ardhshëm të futen njerëz që e kanë blerë postin e deputetit, njerëz të paarsimuar; njerëz me diploma të falsifikuara, njerëz më precedentë penalë, njerëz që komunikojnë me një zhargon rruge, njerëz pa kontribute në zhvillimin e shoqërisë, njerëz që kërkojnë të kapin shtetin, njerëz që nuk i kanë sytë te e ardhmja, por te të ardhurat”, - ka qenë deklarata e kësaj organizate.

Financimi

Një pikë mjaft e diskutueshme gjatë proceseve të mëparshme zgjedhore në Shqipëri ka qenë financimi i fushatave elektorale. Në Kodin e ri Zgjedhor është përcaktuar shuma maksimale për financimin e subjekteve zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas Nenit 89 të Kodit Zgjedhor, shuma e dhuruar nuk duhet të jetë më e madhe se 1 milion lekë. Të drejtën e dhurimit nga fondet jopublike do ta kenë vetëm personat fizikë ose juridikë vendas. Gjithashtu edhe shtetasit shqiptarë me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do të kenë të drejtë të dhurojnë para për subjektet zgjedhore apo për kandidatët, sepse ata do të cilësohen persona fizikë vendas.
“Shuma që çdo person, fizik ose juridik, mund t’i japë një subjekti zgjedhor, nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë, ose kundërvlera në sende ose shërbime”, - thuhet në Kodin e ri Zgjedhor. Në kapitullin e financimit të fushatave zgjedhore përcaktohen edhe kategoritë e personave që nuk do t’u lejohet të financojnë partitë politike apo kandidatët në fushatën elektorale. Sipas Nenit 89, u ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik apo çdo aksioner i tij nëse ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në dy vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë, nëse ushtron aktivitet në fushën e medias, nëse ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme, apo nëse ka detyrime monetare ndaj buxhetit të shtetit ose ndaj çdo institucioni publik.

18 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›