Provat, nisma ligjore u ndërmor pas kontakteve me drejtuesit e “Albademil”
Në kërkesën drejtuar Parlamentit të Shqipërisë, grupi i 16 hetuesve të “Gërdecit” ka evidentuar se përfaqësuesi i kompanisë amerikane SAC, Patrik Henry III, kishte ardhur disa herë në Shqipëri dhe në takimet me Pinarin ishte informuar për të ngritur aktivitetin e çmontimit, duke orientuar drejt përfshirjes në këtë aktivitet të pandehurin Mihal Delijorgji. Pinari i ka shpjeguar Henry III një numër elementesh juridikë dhe kushtesh që duhet të plotësonte kompania SAC për këtë aktivitet. Prokuroria thotë se SAC ka krijuar paraprakisht një shoqëri shqiptare, të quajtur ALBADEMIL shpk, për të hyrë në marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes. SAC u pajis me tre lloje licencash: për depozitim municioni; për çmontim dhe çmilitarizim të municioneve dhe për eksportimin e produkteve të dala nga demontimi. Ndërsa po aty u përcaktua detyrimi për Ministrinë e Mbrojtjes, e cila do të mbulonte shpenzimet e transportit të municioneve. Prokurorët kanë zbardhur se SAC kërkonte që ambienti industrial i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve të ndërtohej në një zonë ushtarake afër Tiranës, duke sugjeruar për këtë Bërzhitën. Oferta e kompanisë SAC ka dalë nga zyra e ish-ministrit të Mbrojtjes me shënimet përkatëse, drejtuar shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Ndërkohë, po më datë 28 dhjetor 2006, evidentohet fakti i krijimit të shoqërisë “Albademil”, me ortakë përfaqësuesin e kompanisë SAC, Patrik Henry III, si dhe të pandehurin Mihal Delijorgji.
18 Mars 2009