E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Ja si u propozua ligji për demontimin



“Ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu, për të realizuar synimin e tij ka iniciuar hartimin dhe miratuar disa akte nënligjore. Ai ka iniciuar një projektvendim të Këshillit të Ministrave dhe ka miratuar projekturdhra, të cilët kanë orientuar realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municionit në përmbushje të ofertës të sipërpërmendur të shoqërisë amerikane SAC, prapa së cilës ishte shoqëria ‘Albademil shpk’, duke angazhuar për hartimin e tyre një pjesë të stafit të ngushtë të tij. Në këtë proces administrativ, z. Mediu ka pranuar dhe miratuar disa projekturdhra, duke shmangur përfshirjen e strukturave dhe hallkave të domosdoshme që duhet të ishin pjesë e hartimit të tyre. Kjo provohet së pari, me inicimin, në datë 12. 2. 2007, për miratim të projektvendimit të KM me titull ‘Për procedurën e çmontimit, çmilitarizimit dhe tjetërsimit të një sasie municionesh të Forcave të Armatosura (FA), të dala nga armatimi e përdorimi me shoqërinë amerikane SAC’. Ky projektvendim nuk është miratuar nga qeveria për shkak të mungesës së përqasjes së tij me Ligjin Nr. 8671, datë 26. 10. 2000, ‘Për autoritetet e komandimit e drejtimit strategjik të FA të RSH’ të ndryshuar dhe me Ligjin Nr. 7512, datë 10. 08. 1991, ‘Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive, provave të pavarura dhe privatizimit’, si dhe për përfshirjen drejtpërdrejt në këtë projektvendim të KM të kompanisë amerikane SAC. Së dyti, më pas, me Shkresën Nr. 1525, datë 14. 03 2007, ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu, ka ridërguar për shqyrtim e miratim projektvendimin me titull ‘Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi’, i cili po atë datë është shqyrtuar dhe miratuar nga qeveria, duke u kthyer në Vendim të KM Nr. 138, datë 14. 03. 2007, me të njëjtin titull që ishte propozuar. Siç do të analizohet në vijim të kësaj kërkese, ndonëse në këtë vendim të KM-së nuk është përmendur drejtpërdrejt kompania amerikane SAC, në formulimin e pikës “IV/1” të projektvendimit të miratuar është parashikuar që shitja për çmontim dhe çmilitarizim e municioneve të bëhet për municione të kalibrit të vogël, ashtu siç ishte parashtruar oferta e kompanisë amerikane SAC”.

-----------
*Shkëputur nga kërkesa e PP për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu

18 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›