E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja “Gërdeci”, edhe ish-ministri Aldo Bumçi dëshmitar i çështjes

Bumçi ishte ministër i Drejtësisë kur u hartua ligji që i hapi rrugë demontimit. Ligji për demontimin është pika më komprometuese për Fatmir Mediun

Habjon Hasani

Tiranë - Prokurorët e dosjes “Gërdeci” kanë parashikuar të thërrasin në cilësinë e dëshmitarit ish-ministrin e Drejtësisë, Aldo Bumçi. Z. Bumçi ka qenë ministër i Drejtësisë në kohën kur u hartua e gjithë praktika ligjore që i “la dorë të lirë” Mediut për të pajtuar në mënyrë antiligjore firmën “Albademil” për kryerjen e demontimit në Gërdec. Sipas burimeve nga organi i akuzës, Bumçi është parashikuar thirret thjesht për të përshkruar mënyrën se si u kthye projektligji i parë i sjellë nga Mediu (i cili u refuzua nga Këshilli i Ministrave) si dhe për të shpjeguar mënyrën se si u kalua në projektligjin e dytë, i cili i dha fuqi dhe të gjitha akteve të tjera, që sipas prokurorisë, sollën ngjarjen e dhimbshme. Ish-ministri i Drejtësisë duket se nuk është evidentuar në ndonjë shkelje procedure apo ligjore, por ai ngelet një dëshmitar i rëndësishëm i gjithë itinerarit që ndoqi projektligji i ardhur me firmën e ish-ministrit Mediu.
Bumçi
Aldo Bumçi ka qenë ministër i Drejtësisë në periudhën shkurt-mars 2007, periudhë kur u paraqitën dy projektligjet nga Ministria e Mbrojtjes. Kombinimi i kërkesës së kompanisë “Albademil” me veprimet dhe projektligjet e paraqitura janë lidhja kryesore që bëjnë prokurorët për të vërtetuar lidhjen e interesave mes personazheve kryesorë të kësaj dosjeje. Pikërisht për të mbrojtur në mënyrë sa më rigoroze këtë pretendim, grupi i prokurorëve ka përgatitur në mënyrë të studiuar dhe listën e dëshmitarëve që kanë qenë prezent dhe aktivë në hartimin dhe ligjërimin e projektligjit final. Madje, prokurorët e dosjes “Gërdeci” i kanë dorëzuar kryesuesit të hetimit, Sokol Stojanit, pak kohë më parë dhe një planveprimi për mënyrën dhe strategjinë se si do të mbroheshin pretendimet e tyre dhe ndërtimi i akuzave para trupit gjykues në Gjykatën e Lartë. Pikërisht në këtë plan-veprimi është parashikuar dhe thirrja e Aldo Bumçit si dëshmitar kur gjykata të analizojë mënyrën se si janë ndërmarrë procedurat për hartimin e ligjit që i dha rrugë ndërtimit të fabrikës në Gërdec. Emri i ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, u bë objekt i mediave në lidhje me çështjen “Gërdeci” edhe kur u zbulua një dokument i dërguar me faks nga zyra e tij (e ministrit) dërguar për Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa me dorë ishte bërë shënimi “Për z. Shkëlzen Berisha”.
Faksi
Publikimi i faksit ndezi interesimin e mediave pasi faksi në fjalë ishte sekuestruar nga organi i akuzës në Protokollin e Ministrisë së Mbrojtjes. Për më tepër, personi të cilit i adresohej faksi(te shënimi me dorë) ishte djali i kryeministrit, emri i të cilit ishte përmendur edhe në bisedat telefonike mes Kosta Trebickës dhe Efraim Diverolit gjatë komunikimeve të tyre për bllokimin e biznesit të fishekëve, çështje që është gjithashtu në hetim nga prokuroria. Gjithsesi, Bumçi i mohoi kategorikisht këto dokumente të shfaqura në shtypin e përditshëm duke i konsideruar si fabrikime të porositura nga opozita. “Çdo shkrim në dokumentin e përmendur është i falsifikuar dhe nuk është i ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, gjë që vërtetohet shumë thjesht nga kaligrafia e shkrimit. Shkrimi im gjendet në qindra dokumente në Ministrinë e Drejtësisë. Në Arkivën e Ministrisë së Drejtësisë nuk gjendet asnjë dokument origjinal që të përmbajë shënimin në fjalë. Përgjigjja zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë dërguar me faks Ministrisë së Mbrojtjes mban datën 9 mars dhe jo 13 mars 2007”, - deklaroi Bumçi disa javë më parë kur u pyet mbi këtë çështje. Prokuroria nuk e ka pyetur Bumçin asnjëherë lidhur me çështjen e faksit, madje organi i akuzës nuk ka dhënë asnjëherë shpjegime nëse ka hetuar në këtë drejtim.

18 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›