E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklaron deputetja demokrate Lediana Aliolli

“Heshtja e opozitës ndaj ligjit antimafia tregon se ajo qëndron në qendër të krimit”

Deputetja e Partisë Demokratike, Lediana Aliolli deklaroi dje se heshtja e opozitës ndaj një ligji tepër të rëndësishëm si ai i antimafias, zbulon qartë se një pjesë e deputetëve të majtë janë të lidhur ngushtë me krimin. Duke dënuar dhunën sistematike të Edi Ramës ndaj bashkëshorteve të tij, deputetja e qarkut të Korçës, Aliolli tha se krimi dhe ndëshkimi janë dhe do mbeten një binom i pandarë. “Jam këtu para jush si zëri më i ri femëror i mazhorancës së djathtë për të dënuar qëndrimin  dhunues, tronditës me një presion të papërshkueshëm politiko- social, me të cilin Edvin Rama po mban peng jo vetëm burrat socialistë por dhe gratë e grupit parlamentar të tij. Kanë kaluar pak orë pas miratimit të një prej ligjeve më të rëndësishme që Kuvendi i Shqipërisë ka kaluar në këto vite ‘Ligji Antimafia’, dhe është për të ardhur shumë keq, që karriget e opozitës socialiste ishin bosh, sepse me heshtjen një pjesë e tyre do të qëndrojnë mes krimit. Por krimi dhe ndëshkimi janë dhe do të mbeten një binom i pandarë. Ku është përgjegjësia juaj politike ndaj  sovranit? Veçanërisht ju drejtohem juve kolege socialiste, pse heshtni, pse bëheni palë e kësaj maskarade që si një valë e madhe goditëse, po ju mbyt çdo orë e çdo ditë më shumë. A e dënoni ju dhunën, a e dënoni ju krimin, mafien, pasojat e saj shumë të rënda për një shoqëri demokratike, për fëmijët tanë, familjen dhe shtetin e së drejtës, që ne të gjithë duam të konsolidojmë? Ju nuk ishit për të diskutuar dhe aq më tepër për të votuar ligjin antimafie dhe shumë ligje jetike për shqiptarët”, u shpreh deputetja demokratike.
Sipas saj, qëndrime të tilla tregojnë se deputetët socialistë janë peng i Edvin Ramës, sikurse ai është peng i së kaluarës së tij të errët makbethiane.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›