E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në korrikun e vitit 2010, shqiptarët do të lëvizin pa viza në BE”

Deklaron ministrja e Integrimit Majlinda Bregu

Në kuadër të programit të Bashkimit Evropian, Ministrisë së Jashtme Franceze dhe Agjencisë Franceze të Lajmeve, për gazetarët e vendeve që synojnë aderimin në BE, studentët e Fakultetit të gazetarisë në Tiranë ftuan dje Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ku zhvilluan një leksion të hapur, i cili u zhvillua në kuadër të këtij programi.
Në fjalën e saj mbajtur në këtë auditor ku ishin të pranishëm edhe ambasadorja franceze në Tiranë Francoise Bourolleau, pedagogë të departamentit të gazetarisë, historisë e gjuhë- letërsisë si dhe gazetarë të medias së shkruar e televizive, ministrja Bregu bëri një pasqyrim të plotë të ecurisë së mbarë të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe theksoi se tashmë ky proces ka hyrë në një fazë shumë të rëndësishme, në pritje të instrumentit kryesor, pyetësorit të BE-së, përmes së cilit Shqipëria do të testohet dhe vlerësohet për zhvillimin dhe standardizimin e të gjitha kritereve.
Ministrja u ka bërë me dije studentëve se Ministria e Integrimit ka iniciuar prej kohësh trajnimin e administratës shqiptare, ka ngritur strukturat dhe grupet e duhura të punës për të qenë të gatshëm e të përgatitur për kalimin me sukses të këtij testi.
Duke e cilësuar procesin e integrimit si një proces sa interesant aq edhe sfidues, pasi paraqet çdo ditë e më shumë një detyrim të ri për t’u përmbushur, ministrja Bregu ka theksuar se ndryshimet pozitive të Shqipërisë janë të dukshme po të bëhet një krahasim edhe me një vit më parë.
“Shqipëria e 2009-ës nuk është më jo vetëm si Shqipëria e viteve ’91-’92 e në vijim, por as si ajo e 2008-ës. Ndryshe nga një vit më parë, këtë vit jemi anëtar të NATO-s. Shqipëria e 2009-ës, si asnjëherë më parë kreu në qershor zgjedhjet brenda të gjitha standardeve, tashmë të certifikuara nga ndërkombëtarët. Shqipëria e 2009-ës ka marrë në unanimitet aprovimin nga 27 vendet anëtare të BE-së për kërkesën e statusit të vendit kandidat”.
Në interes të pyetjeve të studentëve dhe gazetarëve për liberalizimin e vizave ministrja Bregu theksoi se ashtu siç ishte premtuar nga qeveria shqiptare, duke përllogaritur kohën që duhej për përmbushjen e detyrimeve, në korrikun e vitit 2010 shqiptarët do të mund të lëvizin pa viza në Evropë.
Në lidhje me pyetjet për situatën politike në vend, nëse bojkoti i opozitës po bëhet pengesë për procesin e liberalizimit të vizave e të integrimit, ministrja Bregu theksoi se përderisa 27 qeveritë evropiane, të majta e të djathta, i thanë një zëri “Po” kërkesës së Shqipërisë për t’u bërë anëtare e BE-së, pa vendosur askush asnjë veto për ta ndaluar këtë proces deri në zgjidhje problemesh politike, nuk mund të flitet për krizë politike.
Në fund të takimit, pasi e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm rolin e gazetarëve në pasqyrimin e saktë të procesit të integrimit, si dhe të rinjve, që historikisht kanë treguar se dinë të bëjnë ndryshimet e mëdha, ministrja Bregu ka theksuar se komunikime të tilla të drejtpërdrejta janë të rëndësishme, në një kohe të tillë kur Shqipëria është përballë datave të mëdha, që kërkojnë kontributin e të gjithëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›