Forcat e Armatosura festojnë 97-vjetorin e krijimit

Forcat e Armatosura Shqiptare festuan dje 97-vjetorin e krijimit. Në një ceremoni për nder të këtij përvjetori në Akademinë e Mbrojtjes, Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura si dhe Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhanë mesazhet e tyre. Anëtarësimi i vendit në NATO është konsideruar si sfidë për ushtrinë shqiptare në angazhimet globale. Ministri i Mbrojtjes Arben Imami në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se “ushtarët shqiptarë, sot qëndrojnë në krah të ushtarakëve të vendeve më të mëdha në misionet paqeruajtëse në Afganistan, Çad e Bosnje-Hercegovinë. Kreu i shtetit i shprehu mirënjohjen të gjithë vendeve aleate dhe mike, të cilat u përkushtuan së bashku me ne për të realizuar me sukses reformimin e Forcave tona të Armatosura, dhe ndihmuan që edhe Shqipëria të anëtarësohet në NATO”, u shpreh ministri Imami.
Një ditë më parë, Shqipërinë e vizituan kolonelë dhe gjeneralë të lartë të aleancës ushtarake. Në një intervistë televizive Komandanti i Kolegjit të NATO-s deklaroi se Ushtria Shqiptare e meriton të jetë pjesë e kësaj aleance.