Dekretet, PS: Tentativa për të, bllokon hetimin e Gërdecit
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka hedhur dje akuza në drejtim të kreut të qeverisë, Sali Berisha dhe të mazhorancës që ai drejton, se po pengon hetimin e tragjedisë së Gërdecit, duke akuzuar PD-në se po bllokon qëllimisht prokurorinë në hetimin e tragjedisë së Gërdecit, duke mos i hequr imunitetin Fatmir Mediut. Nënkryetari i këtij grupi, Erion Braçe, tha dje se “PS ka qenë vendosmërisht "pro" kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, për të vënë nën hetim, procedim penal ish- ministrin e Mbrojtjes, për krimin shtetëror në Gërdec. Seanca ende e pakonfirmuar që i hap rrugë Prokurorisë është tejet e vonuar”. Sipas tij, “zvarritja e kërkesës së Prokurorisë ka pasur për qëllim bllokimin e hetimeve, largimin në kohë të tyre nga data e krimit, krijimin e mundësisë së keqbërësve të përfshirë në krim, të zhdukin e deformojnë faktet që provojnë krimin”. Braçe hedh akuzën se kreu i qeverisë është përfshirë direkt në pengimin e hetimit të kësaj ngjarjeje. “Ne shohim me shqetësim se përpjekja për pafajësi politike është kthyer e përqendruar në Kuvend. Në komision janë paraqitur deri tani 2 raporte, njëri nga deputeti i PR, tjetri nga Jozefina Topalli”, - tha Braçe. Sipas tij, këto dy raporte kanë konkluzione të paprovuara kurrë, dhe kanë si produkt pafajësinë politike të Sali Berishës, familjes së tij dhe ish-ministrit Mediu.