E Diel, 1 Nëntor 2026

Dekretet e Topit, nisin hetimet e seancat dëgjimore

Dekretet e Presidentit Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë do të votohen në Kuvend nëpërmjet procedurës së re, pas miratimit të ndryshimeve të rregullores. 

ADI SHKEMBI

Këtë e konfirmoi dje kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, i cili tha në një prononcim për mediat se nga momenti që këto dosje do të vijnë në Kuvend, çdo gjë do të veprohet në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Sipas tij, "Rregullorja është shumë e qartë dhe shumë e thjeshtë dhe ne do të ecim në bazë të kësaj rregulloreje, e cila është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë në përputhje me Kushtetutën". Ndërkohë burime nga PD-ja bëjnë të ditur se grupi i maxhorancës ende nuk ka një qëndrim lidhur me gjashtë dekretet e kreut të shtetit për Gjykatën e Lartë. Mësohet gjithashtu se gjatë shqyrtimit në Kuvend të emrave sipas rregullores së re, ku përfshihen edhe seancat dëgjimore, pritet që shumica të vendosë për secilin prej emrave përpara se ato t'i nënshtrohen votimit në Kuvend. Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrimi, Spartak Braho, tha se "diferencat që ka bërë Presidenti tek dekretet bazohen në Kushtetutë". Duke mbështetur idenë e tij, deputeti i LSI-së, Braho tha se, "nuk jam dakord me ndryshimin që është bërë në këtë Rregullore, e pikërisht në nenin nr.111, pika 6, i cili është i parregullt dhe antikushtetues". Dekretet e Presidentit, sipas tij, ose miratohen, ose rrëzohen dhe nuk mund të shkojnë nga njëra zyrë në tjetrën. Deputetët e LSI-së votuan kundër në Parlament lidhur me ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, të hënën në mbrëmje, duke u shprehur se ato ndërhyjnë në kompetencat e kreut të shtetit. Sipas këtyre ndryshimeve, kryetarja e Kuvendit do të ketë të drejtë të negociojë me institucionin që propozon kandidaturat, në rast se këto të fundit në vlerësimin e Komisionit të Ligjeve nuk plotësojnë kriteret kushtetuese. Nëse institucioni propozues nuk shprehet lidhur me këtë çështje, procedurat e votimit nuk mund të vazhdojnë. Një gjë e tillë, e konfirmuar nga kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, do të ndodhë edhe nëse ky komision nuk jep OK për ndonjë nga gjashtë emrat e kreut të shtetit për Gjykatën e Lartë. Gjithashtu, Komisioni i Ligjeve nuk do të ketë më 10 ditë kohë për shqyrtimin e kandidaturave, por tri javë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›