E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjeku i ABC pohon abuzimin e të miturve, por mbron Braun

David Braun, anglezi 53-vjeçar i arrestuar për dhunimin seksual të të miturve në fondacionin bamirës "Fëmijët e tij", që drejtoi për 5 vjet në Tiranë, është i aftë për të kryer marrëdhënie seksuale dhe homoseksuale. 

Fatos Mahmutaj

 Ky ishte konkluzioni me të cilin doli prokurori i çështjes, pasi dorëzoi në gjykatë të fundit prova të organit të akuzës, të cilat ishin 12 ekspertiza mjeko-ligjore të të miturve të jetimores të dhunuar seksualisht, si dhe një ekspertizë të Braun, ku vërtetohej se ai mund të kryente marrëdhënie seksuale. Në këtë mënyrë, prokurori rrëzoi edhe alibinë e impotencës të përdorur prej dy vitesh nga Braun. Duke e kundërshtuar këtë, mbrojtësja e anglezit kërkoi që ai të ekspertohej nga një grup profesorësh, ekspertë të mjekësisë ligjore. Avokatja këmbënguli në pretendimin e Braun për impotencë, duke thënë se ekspertiza e bërë nga Prokuroria nuk thoshte të vërtetën. Më pas gjykata nisi administrimin dhe shqyrtimin e provave të mbrojtjes, duke nisur nga kreu i klinikës mjekësore "ABC", Guy Eshelman, i cili pranoi gjatë dëshmisë së vet se kishte pasur dijeni për abuzimin seksuale të të miturve. Madje për më tepër, ai pohoi se ekspertizat e të miturve të dhunuar dhe dokumentacionin tjetër mjekësor që kishte të bënte me "Fëmijët e tij", e ruante në mënyrë të veçantë, në një vend ku kishte akses vetëm ai, derisa në maj të vitit 2006, Prokuroria dhe Policia Gjyqësore ia sekuestruan. Ai shpjegoi veç të tjerash edhe lidhjen me Braun, ku pohoi se e njihte prej vitit 2001, ndërsa më pas ia ishte bërë një klient i zakonshëm i klinikës "ABC" për shkak të problemeve shëndetësore që kishte. Eshelman gjatë dëshmisë së vet mbrojti anglezin Braun, duke thënë se ai sillej si një baba i vërtetë me fëmijët, ndërsa mohoi në mënyrë kategorike faktin që 53-vjeçari të kishte abuzuar seksualisht të miturit. Madje, sipas tij, fëmijët e sëmurë dhe ata që ankoheshin për trauma, Davidi i shoqëronte vetë te klinika "ABC". Në momentin kur Eshelman pohoi se kishte dijeni për abuzimin e të miturve, gjykata e pyeti pse nuk kishte denoncuar, ndërsa ai duke mbrojtur Braunin tha se kishte bindje se kreu i fondacionit nuk ishte autor i abuzimit. Gjykata i bëri me dije prokurorit, që në bazë të ligjeve të verifikonte deklaratën e tij për dijeninë e abuzimit të të miturve të "Fëmijët e tij" për ta marrë në përgjegjësi penale.

Mjeku i ABC, shok i Braun, rrezikon prangat

TIRANE - Guy Eshelman, kreu i klinikës mjekësore "ABC", rrezikon të përfundojë nën akuzë për moskallëzim krimi, çka mund t'i kushtojë maksimalisht deri dy vjet burg. Pas deklarimeve të tij se kishte dijeni për abuzimin seksual të të miturve të "Fëmijët e tij", gjykata i bëri me dije prokurorit se në zbatim të ligjit shqiptar duhet të hetonte deklaratën e mjekut amerikan. Nëse Prokuroria do mbledhë prova në ngarkim të mjekut, me të cilat vërtetohet se ai ka pasur dijeni për abuzimin, atëherë ai përfundon në përgjegjësi penale. Veç dëshmisë së tij ditën e djeshme në Gjykatën e Tiranës, Prokuroria do të shqyrtojë edhe raportet e ekspertizave dhe vizitave mjekësore të fëmijëve, në të cilët është pasqyruar nga mjeku abuzimi seksual dhe dhunimi i tyre, veprime të cilat duhet të denoncoheshin nga ai. Nëse dokumentet e ekspertizave do të vërtetojnë dijeninë e tij për këto raste, atëherë mjeku amerikan do të përfundojë nën akuzë. Prokurori i çështjes nuk bëri asnjë deklaratë në seancën gjyqësore për marrjen ose jo në përgjegjësi penale të mjekut Eshelman, por gjatë ditëve në vazhdim pritet të kryhen veprime procedurale në ngarkim të tij.                                                                f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›