E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Alibeaj pranon konfliktin me Spahiun: Është çështje parimesh

TIRANE - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, pranoi dje konfliktin mes tij dhe nënkryetarit të KLD-së, Spahiu, por nuk e konsideroi këtë si një shprehje të përçarjes që tashmë ekziston mes 

maxhorancës, nga njëra anë Presidenti Bamir Topi, të cilit ia rrëzoi PD-ja 5 dekretet për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe nga ana tjetër ekzekutivi. "Jo, unë nuk po ua them këtë për të treguar ndonjë solidaritet hipokrit. Ajo çka unë kam kërkuar për t'u verifikuar ka qenë një çështje parimore, pa qenë aspak çështje individësh apo personash. Çështje e ruajtjes dhe krijimit të një tradite të një procesi të hapur dhe transparent në përzgjedhje në këtë rast të kandidaturave për tempullin e drejtësisë, siç është Gjykata e Lartë dhe ushtrimit korrekt të ligjit, siç është ky rast", pohoi dje Alibeaj. Ndërsa më pas ai pranoi faktin që KLD-ja, sipas tij, ndodhet në zotërim të plotë të nënkryetarit Kreshnik Spahiu. I pyetur për këtë, ministri Alibeaj pohoi se: "Fjala juaj që thotë se KLD-ja ndodhet në zotërim të plotë të Spahiut, është shprehja më energjike e mënyrës së funksionimit aktual të Këshillit". Ndërsa më tej ai pretendoi se kërkonte garantimin e një procesi të painfluencuar nga një dhënie verdikiti paraprak, për të mos i dhënë kartë morale asnjë individi që është në "gjykim apo hetim" nga Këshilli, duke bërë në këtë mënyrë gjithçka serioze. Në lidhje me konfliktin që ka pasur në KLD me Spahiun, ministri tha: "Jam konfliktuar me konceptin e deformimit të ligjit. Jam konfliktuar me secilin që do godasë një proces të drejtë dhe të barabartë mes palëve". Ndërsa në fund ai tha se edhe pas humbjes në KLD pak ditë më parë, nuk ndihej në situatë të disfavorshme, përkundrazi ndihej i favorizuar ngaqë kishte zbatuar ligjet dhe Kushtetutën.                           fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›