E Diel, 1 Nëntor 2026

"Miniera është në pronën tonë",5 vetë nxjerrin punëtorët me armë

BURREL - Shfrytëzimi i minierave të kromit kërkohet të zgjidhet me armë. Pesë banorë të fshatit Lami i Madh në Mat janë konfliktuar me pronarin e një firme të licencuar për shfrytëzimin e kromit. 

Ata kanë përzënë me armë punëtorët dhe pronarin e firmës, me pretendimin se toka ku dekada më parë ishte hapur miniera, është e tyre. Në pamundësi për të përballuar të rinjtë e armatosur që nuk i njihte, pronari i sektorit minerar, A.Cukalla ka lajmëruar policinë e Mirditës dhe atë të Matit, duke u kërkuar ndihmë. Punonjës të policisë së Rrëshenit dhe Burrelit kanë vlerësuar seriozisht informacionin e dhënë dhe kanë dërguar forca e mjete në vendin e ngjarjes. Burime informacioni pranë drejtorisë rajonale Dibër thanë se, kishin bashkëpunuar ngushtësisht me drejtorinë rajonale të policisë së Qarkut Lezhë. Por, terreni i thyer dhe i largët nga dy qendrat administrative të rretheve Mirditë dhe Mat u kanë dhënë mundësi 5 të rinjve të largohen nga vendi i ngjarjes, por bllokimi i rrugëve nacionale nga postblloqet e policisë i ka detyruar ata të lënë "peng" mjetin me të cilin ata lëviznin. "Jam kërcënuar me armë nga 5 persona që nuk i njihja, por jam i informuar se janë nga fshati Lami i Madh i Matit. Është toka jonë, janë shprehur dhe nuk e kanë pasur fare problem të kërcënojnë edhe me armë zjarri. I sqarova se sektori minerar është i licencuar nga Ministria e Ekonomisë, por ata përzunë me forcë punëtorët dhe mua si pronar", është shprehur Cukalla për forcat e rendit, teksa ka kërkuar ndërhyrjen e tyre për kapjen e autorëve dhe lejimin e tij për të vijuar normalisht punën në galeri. Burime të rezervuara të policisë thonë se, 5 personat që ushtruan presion mbi pronarin e minierës janë identifikuar, por nuk bëhen publik deri në kapjen e tyre nga forcat e rendit.           e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›