E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafa: Përplasja ka paralizuar kolegjet e Gjykatës së Lartë

Debati politik mbi anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë ka pezulluar edhe punën e kolegjeve. Ky shqetësim u ngrit dje nga nënkryetari socialist i Komisionit Parlamentar të Çështjeve Ligjore, Fatmir Xhafa. Të majtët vazhdojnë të insistojnë në votimin e emrave të paraqitur nga Presidenti Bamir Topi në Kuvend. Ndërsa akuzojnë shumicën qeverisëse se po tenton pushtimin edhe të këtij institucioni të pavarur e kushtetues me militantët e saj.

Qëndrimi

Gjykata e Lartë rezulton të përbëhet prej 17 anëtarësh dhe sot janë vakant postet e 7 prej anëtarëve. "Domethënë kemi në përbërje të Gjykatës së Lartë 10 anëtarë, ndërkohë që Gjykata e Lartë funksionon me kolegje të përbërë nga 5 anëtarë", sqaroi Xhafa. Sipas tij, kjo do të thotë që nuk funksionojnë Kolegji Penal dhe Kolegji Civil. "Njëkohësisht duhet të kemi parasysh faktin që kryetari i Gjykatës së Lartë është figurë procedurale. Dhe, në mungesë të tij, shumë funksione që ai ka nuk mund t‘i kryejë dikush tjetër", u shpreh Xhafa. Opozitarët i mëshojnë idesë se sot kemi një Gjykatë të Lartë pa 7 anëtarë, kemi një Gjykatë të Lartë që nuk mbledh dot kolegjet për të ushtruar veprimtarinë normale të tyre, që nuk ka kryetarin, nuk ka nënkryetarin. "Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme, është jashtëzakonisht e rëndë", vlerësoi Xhafa. /////////Ka ndodhur një rast, nënvizoi ai, që është një precedent shumë i rrezikshëm për drejtësinë në tërësi, për demokracinë gjithashtu. "Ne jemi këtu jo aq për të gjykuar marrëdhëniet që ka mazhoranca, apo segmente të caktuara të saj për të dominuar skenën brenda spektrit politik të djathtë, sesa për të ngritur shqetësimin", sqaroi Xhafa. Socialistët dalin në mbrojtje të parimit të rëndësishëm, që ka të bëjë me funksionalitetin dhe eficensën e sistemit të drejtësisë, e në rastin konkret të Gjykatës së Lartë. I pyetur lidhur me mocionin ndaj kryeparlamentares, Xhafa shtoi se nuk është Kryetarja e Kuvendit ajo që vepron me kokë të saj. "Pas kësaj historie është Kryeministri i vendit, i cili ka një qëllim të vetëm, të vendosë në pushtetin e tij sistemin gjyqësor. Presidenti ka vendosur të mos bëjë emërime nën diktatin e Kryeministrit", theksoi Xhafa. Ku, sipas tij, kërkohet të kthehet në një konflikt nga Kryetarja e Kuvendit, e në radhë të parë nga Kryeministri. Në vlerësimin e Xhafës ligji për Gjykatën e Lartë nuk e detyron kreun e shtetit që të konsultohet me partitë politike.

Gjykata

Aktualisht janë dhjetë anëtarë me të drejta dhe mandat të plotë. Ata janë Gani Dizdari, Perikli Zaharia, Spiro Spiro, Irma Bala, Evgjeni Sinoimeri, Shpresa Beçaj, Adrian Dvorani, Besnik Imeraj, Fatos Lulo dhe Adrian Nuni. Kreu i shtetit, Bamir Topi, nxori dekretet për zëvendësimin e pesë anëtarëve të gjykatës. Konkretisht ata ishin emrat e Kristaq Trajës, Mehdi Bicit, Altina Xhoxhajt, Zamir Podës dhe Artan Zenelit. Në nenin 136 të ligjit për Gjykatën e Lartë, thuhet se anëtarët e saj emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Njëri nga anëtarët emërohet kryetar sipas procedurës së parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni. Ndërsa kryetari dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë qëndrojnë në detyrë për 9 vjet pa të drejtë riemërimi. Gjyqtarët e tjerë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjyqtarë mund të emërohen vetëm shtetasit me arsim të lartë juridik. Kushtet dhe procedura e zgjedhjes caktohen me ligj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›