E Diel, 1 Nëntor 2026

Dekreti: Thanza, anëtar i ri i Gjykatës Kushtetuese

Autori i Lajmit: Suela Topi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar dje Admir Thanzën si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Dekreti, i cili ka hyrë në fuqi menjëherë, vjen pas “shkarkimit” nga detyra të Gjergj Saulit. Mbushja e moshës së pensionit ka qenë dhe shkaku i “shkarkimit” të Gjergj Saulit nga detyra. Zëvëndësuesi i tij, Thanza, aktualisht është anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mandat që e përfundon ligjërisht, pikërisht në datën 20 janar bashkë me dy anëtarë të tjerë. Dekreti për emërimin e Thanzës pret të marrë edhe pëlqimin e Kuvendit, që nënkupton votën e fshehtë dhe dëgjimin e anëtarit. Gjykata Kushtetuese mori vendimin formal të largimit të ish-kryetarit Sauli, pak ditë më parë, ku zyrtarizoi edhe mbarimin e mandatit të anëtarit për shkak të daljes së tij në pension. Admir Thanza, aktualisht mban edhe detyrën e anëtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Dekreti
“Zoti Admir Thanza emërohet anëtar i Gjykatës Kushtetuese, deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit Gjergj Sauli. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”, - thuhet në dekretin e Presidentit të Reublikës të zyrtarizuar dje. Gjykata Kushtetuese pak ditë më parë vendosi “shkarkimin” e ish-kryetarit Gjergj Sauli për shkak të mbushjes së moshës së daljes në pension. Vendimi është marrë në një nga mbledhjet po ashtu formale të fundvitit të shkuar, ku trupa gjykuese ka marrë në shqyrtim kërkesën e kryetarit të kësaj gjykate, Vladimir Kristo, për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Gjergj Sauli. Gjykata, pasi dëgjoi relatimin e bërë nga kryetari dhe shqyrtoi çështjen në tërësi, në vendimin e saj, të shpallur tashmë në faqen zyrtare në internet, sqaron se Sauli është emëruar gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese për një periudhë kohe prej 9 vjetësh, mandat i cili, nga ana kohore, nuk ka përfunduar. Por, sipas nenit 127, pika 1/c e Kushtetutës, mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese mbaron kur mbush moshën 70 vjeç. Nisur nga fakti se Gjergj Sauli është i datëlindjes 27.12.1938, pra, në datën 27.12.2008 ai mbushi moshën 70 vjeç dhe, për rrjedhojë, po në këtë datë i ka mbaruar mandati i gjyqtarit të kësaj Gjykate. Por, për mbarimin e mandatit, në një rast të tillë, Kushtetuta përcakton edhe se ai duhet të deklarohet me vendim të vetë Gjykatës, nëpërmjet një procedure formale. Ndodhur përpara këtyre rrethanave ligjore dhe faktike, Gjykata Kushtetuese ka çmuar në vendimin e saj se mandati për Gjergj Saulin duhet të deklarohet i mbaruar për shkak të mbushjes së moshës. “Gjykata vendosi të deklarojë mbarimin e mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, zotit Gjergj Sauli, sepse ka mbushur moshën 70 vjeç. Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi menjëherë”, - thuhet në vendim. Largimi i Saulit pritet të ndryshojë edhe balancat vendimmarrëse në favor të së djathtës në këtë gjykatë, vendimet e së cilës marrin një rëndësi të veçantë, sidomos sa u përket çështjeve me karakter të theksuar politik.
Ky lajm është publikuar: 08/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›