E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS:“Debati Berisha-Bode, skeç banal”

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste e ka konsideruar debatin mes kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Financave, Ritvan Bode, për rritjen ekonomike si një skeç banal. Zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, deklaroi se këto janë veprime të një qeverie që tallet me qytetarët. “Dje, pasiguria kronike e këtij shteti mori jetën e një punëtoreje fatkeqe. Në të njëjtën ditë në sallën e Qeverisë, luhej një skeç banal mes Sali Berishës e Ridvan Bodes për rritjen ekonomike. Të dy talleshin! Dje, lufta për mbijetesë në atdheun e varfërisë e të papunësisë që rritet përditë, vrau një grua të pafajshme, e cila çmontonte predha për një rrogë qesharake në një punë të pasigurt shteti, ndërkohë që Sali Berisha bënte sikur grindej me ministrin e tij për shifrën e rritjes ekonomike. Të dy gënjenin”, - tha Kodheli. Socialistët i kërkojnë Qeverisë të reagojë dhe të lidhë një pension për 2 jetimët që la pas Suzana Kapxhiu, si veprimi minimal i detyrës së tyre. “Kryeministri dhe ministri i Financave të dalin nga rolet e skeçit banal të rritjes së hatashme ekonomike dhe të bëjnë detyrën për këta muaj që u kanë mbetur, duke e filluar nga rimbursimet e shpenzimeve të varrimit për të ndjerën Suzana Kapxhiu, si edhe nga lidhja e një pensioni për dy jetimët e saj”, - u shpreh Kodheli.

Ky lajm është publikuar: 08/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›