E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i drogës, kapen në Tiranë dy të kërkuar

 

TIRANE - Policia e Tiranës arrestoi dje dy persona të kërkuar për trafik lëndësh narkotike. Me një urdhër ekzekutimi penal, të firmosur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, është arrestuar nga Antidroga e Drejtorisë së Përgjithshme Abdulla Muka, 48 vjeç. Ndaj tij Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg", të shtunën e kaluar, me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Muka figuron në dosjet e policisë, si person me precedentë të mëparshëm penal, në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së drogës, madje ai ka kaluar 5 vjet në një burg në Gjermani, për të njëjtën vepër penale. Ndërkohë mëngjesin e djeshëm, në rrugën "Myslym Shyri" në Tiranë është arrestuar i shumëkërkuari Emiljano Keçi, i cili ishte në vëzhgim prej disa muajsh nga policia e Durrësit. Vitin e kaluar policisë së qytetit bregdetar i ka ardhur një letër-porosi nga Italia, për arrestimin e të riut nga Shijaku, i cili ishte dënuar në mungesë nga Gjykata e Pizës në Itali, me 14 vjet burg, për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni. Madje një vit më parë, oficerë të Antimafias italiane dhe policia e Durrësit, arrestuan 3 kushërinjtë e Emiljano Keçit në Shijak, në kuadër të operacionit të koduar "Treviso". Dosjet e servirura nga Interpol-Roma, kanë pasur informacion mjaft të detajuar për aktivitetin e Emiljano, Alzon, Astrit dhe Afrim Keçit, të katër nga Shijaku. Përgjimet që u janë bërë në një interval të gjatë kohe, sollën dokumentimin e aktivitetit të tyre kriminal, për të cilin ata janë dënuar me shumë vite burg në mungesë nga Gjykata e Pizës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›