E Diel, 1 Nëntor 2026

FMN: Jemi të hapur për program të ri

Fondi Monetar Ndërkombëtar i dha një sinjal të qartë qeverisë shqiptare se dyert e saj nuk janë të mbyllura për Shqipërinë dhe se vendi ynë mund t‘i drejtohet për ndihmë në çdo kohë këtij institucioni. Vetëm pak ditë pasi qeveria nënshkroi kontratën e huamarrjes më të shtrenjtë në historinë e Shqipërisë si shtet i pavarur, përfaqësuesja e FMN-së për Shqipërinë, Ann Margaret Westin, deklaroi se "pas zgjedhjeve mbetemi të gatshëm për të lidhur një program nëse ka interes".
"Është e vërtetë që në këtë moment shumë vende po drejtohen nga ne. Shumica për të siguruar financime, por ka edhe të tjera që vijnë te FMN-ja për të dhënë një sinjal besimi për ekonominë e tyre. Për momentin do të vazhdojmë të mbajmë një dialog të ngushtë me qeverinë për politikat ekonomike, pavarësisht se nuk ka formalisht program", vijoi Westin. FMN-ja ka ruajtur monitorim të hollësishëm mbi ekonominë shqiptare, pavarësisht se mbyllja e marrëveshjes nënkuptonte më pak mbikëqyrje. Zonja Westin mbrojti vendimin e qeverisë për të marrë një kredi super të shtrenjtë prej 250 milionë eurosh, e cila do t‘u kushtojë shqiptarëve së paku 30 milionë euro që në vitin e parë. "Është shumë e vështirë të bindësh bankat të të japin kredi në kohën tonë", tha Westin. "Është shumë e rëndësishme që Shqipëria e siguroi këtë kredi. Kredia e re do të ndihmojë në stabilizimin e kursit të këmbimit", vijoi ajo. Dy vite më parë, Shqipëria mori kredi me interes 1.25 për qind plus euribor. Tani, kredia u sigurua vetëm pas gjashtë muajsh negociatash intensive dhe përkundrejt interesit 9.65 për qind plus euribor. Sot për sot, euribori varion nga 1 deri në 2 për qind, sipas afatit të maturimit. Por ky është niveli më i ulët historik i euriborit dhe nuk ka asnjë shans që të mbetet në nivele të tilla edhe për vitet në vazhdim. Qeveria shpreson se do ta rifinancojë kredinë me emetimin e eurobondeve që pas vitit të parë. Por kjo varet nga situata në tregun ndërkombëtar dhe parashikimet financiare në kushtet e krizës janë një lloj bixhozi i rrezikshëm. Interesat prej së paku 27-30 milionë euro, të cilat Shqipëria do të paguajë për këtë kredi, janë të mjaftueshme për të garantuar rritje pagash dhe pensionesh me 5 për qind.

Përdoreni kredinë për investim, jo për paga

"Ajo çka është e rëndësishme, është që ky financim i siguruar nuk duhet të çohet dëm nga politika buxhetore të pamatura. Rruga Durrës-Kukës është pjesë e buxhetit. Ka pasur tejkalim të kostove, por është më mirë që kredia të përdoret për rrugën, sesa për rritjen e pagave dhe pensioneve", tha ajo.

FMN-ja e pati këshilluar qeverinë të mos nxitohet me rritjen e pagave dhe pensioneve, por kjo e fundit vendosi që ta kryejë rritjen për herë të parë që nga muaji maj dhe jo në korrik, siç ishte bërë gjithmonë gjatë dhjetë viteve të fundit. Ekspertët thonë se në mungesën e rritjes ekonomike, rritja e pagave dhe pensioneve është njësoj sikur qeveria t‘u japë para borxh të punësuarve në shtet dhe pensionistëve, të cilin do ta shlyejnë po ata vetë. Kjo politikë e gënjeshtërt rritjeje është kryer edhe në të shkuarën në Shqipëri dhe shqiptarët e kanë paguar menjëherë pas zgjedhjeve me dobësim të lekut, apo rritje të inflacionit. Rritja e pagave këtë vit do të ketë një kosto zyrtare prej 7.7 miliardë lekësh.

Westin tha gjithashtu se kriza botërore po godet gjithnjë e më shumë Shqipërinë, ku rënia e eksporteve dhe remitancave janë faktorët më negativë.

"Ndikimi më i madh që do të shikoni është rënia e eksporteve. Me pakësimin e eksporteve do të ketë vende pune që do të humbasin dhe ndërmarrje që do të mbyllen. Gjithashtu do të ketë rënie të dërgesave të emigrantëve që janë shumë të rëndësishme për të përballuar konsumin, veçanërisht për familjet e varfra. Një tjetër efekt është ngadalësimi i kreditimit të ekonomisë dhe kjo do të thotë më pak investime", sqaroi përfaqësuesja e FMN-së.

Refuzim nga qeveria

Qeveria shqiptare deri tani ka refuzuar çdo diskutim për të rifilluar negocimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar, duke injoruar këshillat e vetë FMN-së, Bankës së Shqipërisë dhe shumë ekspertëve.

"Ne nuk mund t‘i drejtohemi FMN-së për ndihmë, për shkak se nuk kemi marrëveshje", deklaroi pak javë më parë zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu.

Në një intervistë të dhënë me telefon në muajin prill për "Business Week", Kryeministri Sali Berisha tha: "Kam shumë respekt për Fondin Monetar Ndërkombëtar por ai nuk duhet të [nxisë] panikun. Nuk është ndihmëse, sipas mendimit tim. Unë u kam thënë atyre, ‘shiko, ju jeni një institucion shumë-shumë i rëndësishëm. Jam i gëzuar që G20 ju dha një rol të ri‘. Por shumë qeveri hezitojnë të punojnë me to, për shkak se skemat e tyre në kohë pakënaqësish shoqërore mund të krijojnë më shumë probleme sesa t‘i zgjidhin ato".

Pothuajse të gjitha vendet e rajonit kanë hyrë në marrëdhënie me FMN-në për të rifinancuar borxhet e veta dhe për të garantuar investitorët për seriozitetin e vendimmarrjes së tyre qeverisëse dhe monetare. Serbia, Rumania, Hungaria, Ukraina dhe së fundmi, Bosnjë-Hercegovina dhe Polonia, pranuan kushtet e FMN-së në këmbim të kredive mbështetëse me interesa të pranueshme.

Pasiguria rrit interesat

Në të gjitha rastet kur vende të ndryshme shfaqin vështirësi në pagimin e detyrimeve të veta në monedhë të huaj, interesat e borxhit të saj automatikisht rriten. Në këtë rast, këto vende rrezikojnë edhe më shumë të mos arrijnë të paguajnë detyrimet, ndërkohë që ekonomia e tyre bllokohet, pasi shlyerja e borxheve merr automatikisht prioritet më të madh sesa investimet. Shqipëria gjendet tani në fazën kur duhet të fillojë të shlyejë principalet e kredive me interesa të buta që ka marrë nga grupi i Bankës Botërore dhe donatorë të tjerë gjatë dy dekadave të fundit. Kreditë me të cilat Shqipëria ndërtoi 450 kilometra rrugë, përmirësoi sistemin energjetik etj., fillojnë të shlyhen pas dhjetë vjetësh nga data e marrjes. Në vitin 2008, filluan të shlyhen këstet e para të kredive që ishin nënshkruar në vitin 1996 dhe qenë disbursuar në vitin 1998. Kredi me vlerë të përgjithshme prej 2.1 miliardë dollarësh do të duhet të shlyhen në mënyrë graduale gjatë njëzet viteve të ardhshme. Ky nuk është një borxh shumë i lartë, por duke u kombinuar me kreditë e reja të shtrenjta që po investohen vetëm në një projekt me rentabilitet shumë të dyshimtë, vendi mund të përballet me vështirësi serioze.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›