E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni i “dosjeve” sivjet filloi më herët



Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore në Evropën Perëndimore shënoi çastin e fillimit të një reforme të thellë kundër shkaktarëve të luftës: nazizmit dhe fashizmit. Pjesë e kësaj reforme ishte heqja e së drejtës (të të gjithë atyre që kishin qenë pjesë e sistemit nazist), për të qenë pjesë e politikës, administratës së lartë, medias. Kjo reformë nuk buronte tek hakmarrja, por tek fakti që të gjithë personave të mësipërm nëpërmjet këtij kufizimi u jepej e drejta për t’u çliruar nga e shkuara e tyre, por edhe që shoqëria të mos ishte peng i së shkuarës së tyre. Pak kohë më parë, nobelisti Gunter Gras shkaktoi shumë zhurmë në opinionin mbarë botëror, duke deklaruar se kishte qenë pionier i partisë naziste. Ndërkohë që pak muaj më parë, një gazetare në kanalin gjerman ZDF u pushua nga puna, pasi shprehu opinion pozitiv për periudhën hitlerjane.

Ajo çka shpreha më sipër nuk ka ndodhur në vendin tonë për të gjithë pjesëmarrësit në krimet e komunizmit. Kjo do të thotë se ish-organizatorët e krimeve mund t’i gjesh në politikë, administratë, gjykata dhe prokurori. Në këtë këndvështrim, si do ta komentonit ju nismën e kryeparlamentares Topalli për hapjen e dosjeve të spiunëve për të gjithë ata që janë në administratë, politikë dhe drejtësi? A mendoni se nisma e kryeparlamentares Topalli duhet të prekë edhe mediat?

Ju hiqni një paralele të fortë midis dy sistemeve e dy situatave dhe kjo nuk është pa vend. Ashtu si këtu, mund të ketë pak debat me oponentët e këtij parashtrimi dhe kjo gjithashtu nuk është pa vend. Sepse, ja, mjafton të pyesim se kush do merakosej në Shqipëri nga fakti që edhe unë edhe ti, madje edhe të gjitha personalitetet më antikomuniste të këtij vendi, në fëmijërinë e tyre kanë qenë nga pak pionierë me shall të kuq. Pra “filiza” të Partisë Komuniste në fuqi. Po pse të ngatërrohemi me ideologjinë e të mos ndjekim një kriter tjetër vlerësimi? Sepse unë mendoj se ka një kriter tjetër, më të thjeshtë, vlerësimi të kohës, regjimit dhe njerëzve, i cili e shmang konfuzionin. Ky është raporti me dhunën, me krimin e me genocidin. I lëmë pra mënjanë këtu ideologjitë e sistemet dhe përqendrohemi tek ai aspekt që përbën edhe thelbin e preokupimit maksimal, që ka për bëmat e njerëzve në segmentet goditëse të diktaturës së proletariatit.

Duke thënë sa më lart, nuk është aspak se dua të kursej detashmentet e tjera të sistemit. Përkundrazi e di mirë se ç’rol luanin ato, e ç’mund t’i punonin njeriut që tentonte të bëhej qytetar. Mjafton të kujtoj për këtë një moment që s’ka si ta harroj. E që s’ka të bëjë me mua, por me një bashkëstudenten e klasës sime. 21 vjeçe. Vajzë e mrekullueshme, model edukate, studente e shkëlqyer. Një karakter dhe personalitet i veçantë. E tillë ishte shoqja jonë e grupit Eli N. dhe kam bindje të plotë se e tillë ka mbetur edhe në tallazet e jetës së mëvonshme. Befas një ditë në klasë futet vetë sekretari i byrosë së partisë së fakultetit. Goxha burrë i gjatë e i kollarisur. Profesor. Me ca si lloj specializimesh jashtë. I drejtoi gishti shoqes sonë më të mirë, e i tha pa pikë ndrojtje a takti. Përkundrazi, një gëzim i egër shkreptinte pas syve të tij të vegjël. Kënaqësi prej shpendi grabitqar që mban ndër kthetra prenë. Pa çohu pak ti vajzë – i tha, e pa e lënë as të merrte frymë e çoi më tej fjalinë në formë pretence: çohu pak e na thuaj, përse ke mashtruar ti në dokumentet e tua personale? Klasa ngriu. Ndërsa Eli që ishte çuar ndërkohë, nuk di si mbahej në këmbë. Unë nuk kam gënjyer profesor, – mundi të thotë ajo e bërë flakë në fytyrë. –Ashtu?, – vazhdoi inkuizitori i fryrë edhe më fort në kënaqësinë e vet aq të ligë. – Po si shpjegohet atëherë që nuk ke shënuar se je mbesa e filanit?, – dhe përmendi një emër që për ne s’ishte askushi, pavarësisht që e kishim dëgjuar diku si një eksponent i një grupi të përjashtuar nga PKSH në kohën e luftës... Merret me mend çdo të thoshte një “demaskim” i tillë publik ndaj një studenteje të njomë, në prag të diplomimit. Në prag të daljes në jetë. Në një jetë ku “hija” e dosjes personale peshonte më shumë se çdo medalje e shkëlqim në mësime. Mendoj se ajo që e shpëtoi shoqen tonë asokohe nga ndonjë vendim ekstrem për jetën e saj ishte pikërisht, personaliteti i saj, karakteri i fortë. Dhe ndoshta ky mund të tregohet si shembulli më i mirë gocave të sotme fluturake, të cilat s’e kanë për gjë t’i bëjnë vetes gjëmën vetëm e vetëm sepse p.sh., dashnori i çoi edhe “tjetrës” një SMS të ëmbël.

Ja pra, kjo ishte historia e Elit, e cila edhe pse zgjati vetëm një minutë, la në mendjet tona një shije e një përshtypje, që nuk do të shlyhet kurrë. E dini se ku ndodhet tani ai profesori ynë? E kam merak ta them edhe këtë. Është kryetar i një shoqate që shpesh i kërkon hesap edhe qeverisë...

Nejse, përshëndetje Eli nëse ndodh që i lexon këto radhë!

***

Kjo histori e bën të qartë besoj vetëdijen time mbi atë që e dinë të gjithë: se nuk ishin vetëm hallkat e spiunimit apo të represionit ato që të bënin gjëmën, dhe se mbi të gjithë vigjilonte e udhëzonte partia. Mirëpo sistemi i gjykimit në këtë botë është i tillë, që kërkon zinxhirin e përfshirjes në krimin konkret. Kështu që jo më kot edhe debati për dosjet është përqendruar tek ajo pjesë e angazhimeve dhe tek ato hallka të diktaturës që bëjnë pjesë tek zinxhiri i realizimit të krimit, dhunimit konkret të personave e deri zhdukjes së tyre pa nam e pa nishan. Pjesë e këtij zinxhiri janë edhe spiunët. Mund të rrimë e të tjerrim sa të duash sofizma për të “lehtësuar” këtë apo atë kategori mes tyre, por ja që nuk na le ajo historia juaj me nobelistin Gunter Grass. Ai vetëm “pionier” ishte dhe desh ja “fshinë” fare nobelin. Po sikur të kishte qenë edhe pak spiun?

Kalojmë tani tek ajo që ju e quani “nismë e kryeparlamentares Topalli”. Në fakt nuk e di pse e quani kështu. E di si e shoh unë rolin e kryeparlamentare Topalli këtu? Thjesht roli i atij që anonçon rivënien në skenë të pjesës teatrale me emrin “meseleja e dosjeve”. Një pjesë teatrale e shfaqur disa herë, gati çdo vit në skenën e teatrit tonë politik e parlamentar.

Pse anonçohet pikërisht tani rivënia në skenë e kësaj pjese? Sepse krahasuar me vitet e kaluara “sezoni” i teatrit të dosjeve ka qenë muaji tetor. Përveç bisedave të botuara këtu në gazetën tuaj, e verifikova këtë edhe nga dy shkrime të tjera të miat mbi këtë temë. I pari “Hapni dosjet, mbyllni gojën” është i tetorit 2006, ndërsa tjetri “Hapja dhe Lustrimi” është një koment i 2007-s. Tetori pra ka qenë zakonisht muaji i dosjeve. Sivjet ka nisur më herët. Në vapë.

Nuk ka se si mos të shkojë ndërmend se kjo temë hapet jo për t’i dhënë dum çështjes së dosjeve, pra jo për t’i hapur vërtet dosjet e mbyllura (ku mbahen xhanëm kaq vjet këto dosje të mbyllura, ndërsa Shqipëria është djegur së paku nja dy herë?!), sesa për t’i tundur e shkundur ato kërcënueshëm në fytyrat e kundërshtarëve sa herë që situatat politike tensionohen ose ndodh ndonjë karshillëk mes institucioneve. Një rast i tillë duhet të jetë, edhe ky që na shtyn ta çelim pak herët sivjet.

***

Sa për gjendjen aktuale, e besoj plotësisht hamendësimin tuaj tek thoni që “ish-organizatorët e krimeve mund t’i gjesh në politikë, administratë, gjykata dhe prokurori”. Por i thënë nga ju dhe nga unë, ky sidoqoftë mbetet vetëm një hamendësim. Madje, s’ka ndonjë vlerë qoftë edhe sikur të thuhet nga politikanë të opozitës që s’kanë më çelësa në dorë. A nuk tha vjet në tetor zoti Majko që në Parlamentin shqiptar një në çdo katër deputetë ka qenë ish-spiun? E tha. E ç’del nga kjo, përveç neverisë që mund të ndjejmë mbi disa salla e podiume? Asgjë. Sepse moshapja faktike e dosjeve pas këtyre denoncimeve, sjell një dëm të madh, për arsye se ata mund të jenë një në katër, po spektatorit që nuk di fakte i duken spiunë që të katër! Po qe për dëmin ne të gjithë e dimë. Sepse edhe sikur gjysma e asaj që tha zoti Majko të jetë e vërtetë, pra jo një në katër, por vetëm një në tetë deputetë të jetë “ish-bashkëpunëtor i Sigurimit”, situata mund të quhej e pashpresë. I thonë shtatëmbëdhjetë ish-spiunë e gjysmë. Aq sa do të mjaftonin për të krimbur e infektuar jo një, por shtatë parlamente bashkë. Duke sjellë me vete ligje të krimbura, zgjedhje të krimbura, zyra shteti të molepsura, raporte të krimbura mes pushteteve, drejtësi të kalbur, politikë e klasë politike të cofur, e deri dhe krimbjen e gjithë pemës shoqërore. Ku as mediat, madje edhe as OJQ-të s’do t’i shpëtonin dot infektimit. A thua të kemi mbërritur në një katandi të tillë? Këtë me siguri askush s’mund ta thotë. Mundësia është e madhe. Së paku për tre arsye: sepse kjo është e para përbërje Parlamenti që ka hyrë në atë sallë, jashtë çdo skaneri “mbi të kaluarën” (pra pasi ligji “mbi kontrollin e figurës” ishte shfuqizuar). E dyta, se edhe në kohën e skanerëve ligjore, përdorimi i tyre nga duar vendimmarrësish, ka qenë tejet abuziv e i manipuluar (“pseudonimet” e para i kemi mësuar pikërisht nga goja e atyre që e patën në dorë atë punë). Dhe e treta, sepse as strukturat e shtetit post-diktaturë, po as opinioni publik nuk krijoi dot një masë kritike e një vetëdije të plotë, për ta çuar deri në fund këtë pastrim të mjedisit të ri politik e vendimmarrës. Të gjithë ngopemi e kënaqemi me thashethemin. Atje e nisim. Dhe atje e mbyllim

***

Si mund të ndreqet e kush mund ta ndreqë këtë punë. Se ku mund t’i gjesh tamam-tamam këta kriminelë, spiunë apo urdhërues të atij shteti, këtë gjë në fakt e dinë vetëm ata që mund të futen nëpër kthinat e bodrumet e arshivës së diktaturës. Përfshi edhe atë që një shkrimtar i madh i yni e quan “kthina e lakuriqit”. Futesh dot atje ti e unë? Jo nuk futemi dot. Po kush futet e del atje sa herë të dojë? Për pushtetin që kanë sigurisht them se futet atje po të dojë vetë zonja Topalli, vetë zoti Berisha, ndoshta edhe zoti Topi, nëse e lejojnë. Futen me siguri, e pa teklif fare edhe të gjithë të besuarit, të dërguarit dhe të emëruarit prej tyre.

Në se plot ish-spiunë kanë zënë apo jo karrige të rëndësishme në piramidën e sotme shtetërore politike dhe mediatike – përsëri siç thoni ju, - edhe këtë më mirë nga të gjithë e dinë shefat që bëjnë emërime, gradime, dekorime si dhe zgjedhje me Parlament. Ta zë njeri emrin në gojë ty e mua për emërime në ato bordet me mandate të forta, që i miraton parlamenti? Asnjëherë. Epo hajt thua ti, kjo ndodh sepse me siguri po zgjedhin dikë tjetër, që ka më tepër merita, dije të zanatit, gjuhë, kontribute e sakrifica. Hapja e dosjeve do të na e mbyllte edhe këtë dilemë.

Në një takim me studentët e gazetarisë, Kryeministri Berisha u shpreh se do të ishte i gatshëm që për të garantuar lirinë e shprehjes të miratonte një ligj, ku pronarët e mediave të mos imponohen dot tek gazetarët. Cili është komenti juaj për situatën në media dhe për pasojat që mund të sillte një veprim i tillë nga ana e Kryeministrit dhe mazhorancës parlamentare?

Biznesin mediatik nuk e njoh gati fare. Njoh mediat si produkt dhe roli që ai luan si i tillë në informimin dhe në “deformimin” publik. Por di shumë pak mbi pronarët e mediave. E vetmja gjë që di me siguri është që ata janë njerëz të nomenklaturës së pushteteve të larta, komunikimi i të cilëve me Kryeministrin apo me shefat e tjerë të shtetit është direkt, personal dhe joinstitucional. Ata shkëmbejnë SMS, porosi e madje edhe romuze e shaka me kryeministrat tanë. Kaq gjë e di me siguri. Po jo më shumë. Hë di edhe diçka tjetër. Sikur kryeministrat tanë të mos ua ngrinin kaq shpejt telefonin pronarëve të mediave, sikur ata të mos shkëmbenin SMS vëllazërore e “konfidenciale” me ta, sikur të mos ju kërkonin atyre në orët e natës “ndere” për të bërë këtë apo atë lajm e platformë, me siguri edhe pozita e gazetarëve të thjeshtë para “pronarëve” do të ishte ku e ku më e mirë.

Në mbledhjen e qeverisë Kryeministri Berisha tha se së shpejti do të rriten rrogat e 14 kategorive të nëpunësve publikë dhe kryesisht mjekëve me 15% dhe arsimtarëve. Cili është komenti juaj?

Kemi muaj që flasim për një rritje dramatike të çmimeve të konsumit. Sikur të mos rriteshin rrogat, qoftë edhe pak në këto kushte, kjo do të thotë një rënie direkte e treguesit të të ardhurave reale të punonjësve, një rënie e qartë e mirëqenies së njerëzve. Pra, rrogat duhet të rriten pa asnjë diskutim, së paku në një masë që kompenson çmimet. A është e tillë kjo masë që lançohet? Dyshoj se jo.

Në këto rrethana, por edhe për arsye prioritetesh që ka vendi, më duket krejt pa vend që vetë Kryeministri nuk ndahet orë e çast rolit të zëdhënësit për këto rroga. Vras mendjen vazhdimisht: vërtet mendon ai se po impresionon njerëzit me një rreshtim përqindjesh?

Se sa ndikim pritet të ketë ky lajm në jetën reale të punonjësit e të buxhetit familjar të tij, këtë më mirë se çdo koment i yni e tregon interesimi me të cilin po pritet nga opinioni publik kjo çështje. Bëni një sondazh në orarin kur transmetohet lajmi për rrogat dhe do të shihni që të gjithë shikojnë ... telenovela.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›